A e dini sa veteranë i ka Kroacia?

Në vitin 2012 Qeveria e Kroacisë kishte publikuar listën e ish-luftëtarëve që kishin marrë pjesë në luftën e pavarësisë nga viti 1991-1995, në një përpjekje për të penguar abuzimin e përhapur të statusit të veteranëve.

Tre ministrat, ai i Mbrojtjes, i Brendshëm dhe i Veteranëve, të tre ish ushtarë, kishin paraqitur regjistrin e veteranëve të luftës.

Lista përfshinë një shifër zyrtare prej 505,221 veteranë të luftës – 404,397 emra të veteranëve që morën pjesë në luftime dhe 18,166 njerëz që kontribuan në luftë në forma të ndryshme, raporton IndeksOnline.

Numri i veteranëve që morën pjesë në luftën për pavarësi ka qenë prej kohësh subjekt i polemikave edhe në Kroaci.

Shumë veteranë pohojnë se shumë të tjerë ose kanë ekzagjeruar ose kanë gënjyer për përfshirjen e tyre në luftë, në mënyrë që të marrin privilegjet materiale të parashikuara nga ligji për ish-veteranët e luftës.

Publikimi i regjistrit ishte një premtim zgjedhor i koalicionit të qendrës së majtë të udhëhequr nga Zoran Milanoviç, i cili, si kryeministër, emëroi Predrag Matic (një veteran i njohur nga beteja në Vukovar), si Ministër i Veteranëve.

Qeveria e mëparshme, e udhëhequr nga Bashkimi Demokratik Kroat i qendrës së djathtë, HDZ, kishte përfunduar regjistrin, por nuk kishte pranuar ta publikonte atë, duke pretenduar se do ishte zbulim i të dhënave sekrete personale.

Polemika rreth asaj se kush luftoi në luftë ka zgjatur një kohë edhe në Kroaci.

Brenda dy orëve nga publikimi i regjistrit, rreth 10,000 njerëz kishin kontaktuar me Ministrinë e Veteranëve për t’u ankuar për luftëtarët e rremë ende në listë.

Megjithatë, ndryshe nga Kosova, ku numri i veteranëve të rremë është i madh, në Kroaci, nga 502,678 veteranë, raportohet se rreth 3000 janë veteranë të rremë. Paga që një veteran merr në Kroaci thuhet të jetë 677 euro.