Albin Kurti e nguci për karrigen e Kryeministrit, Haradinaj e gjuan topin te Isa Mustafa

    Kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar për deklaratën e Albin Kurtit, i cili tha se 8 mijë e 200 hektarë u dhanë për një karrige, duke goditur Haradinajn për votimin për Demarkacionin vitin e kaluar.

    Ramush Haradinaj, ka ironizuar me deklaratën e Albin Kurtit për karrige, duke thënë se “karrigën ia ka dhënë Isa Mustafës”.

    “Pom kritikojnë për karriga. Ja kom jep fjalën Isës, nuk i ndrroj. Du me i lon deri sa t’kthehet”, tha Haradinaj.

    I pyetur se po pret që të kthehet Mustafa, kreu i ekzekutivit pohoi se po i ruan deri sa të kthehet.

    “Tash po ja ruj deri sa tvjen, qitu tnjejtat i ka”, shtoi Haradinaj.

    Këtë haradinaj e tha gjatë pritjes së ministrit të jashtëm malazez, Srdjan Darmanoviq.

    E Albin Kurti para dy orëve, në një status në facebook, për të shënuar ditën kur u votua marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, ka thënë se në Kuvendin e Kosovës atë ditë, kurrsesi nuk do të bëheshin 80 vota dhe se 8 mijë e 200 hektarë u falën për një karrige.

    “Sot u bënë një vit prej kur u ratifikua demarkacioni “Meha” në Kuvend, ndërkaq nesër bëhen 400 ditë të marrëveshjes ‘korrigjuese’ Thaçi-Vujanoviq. Për ironi, mu në ditën ndërkombëtare të pyjeve, më 21 mars, iu dhanë 8.200 hektarë Malit të Zi”, ka shkruar Kurti.

    “80 vota kurrsesi nuk do t’i bënin atë ditë pa këtë mashtrimin me korrigjim kufiri. Marrëveshja e Podgoricës e pranonte gabimin por mashtronte se do ta korrigjonte atë. Një vit më vonë as që është formuar Trupi i Përbashkët Punues për të cilin thuhej se do ta kthejë kufirin në Çakor e Zhlep e me Bjelluhën brenda Kosovës.

    Nuk është turp nëse deputetët thonë se janë mashtruar. Turpi i përket mashtruesit. Mirëpo, nëse cilido pas mashtrimit, për shkak të egos, nuk pranon se ka qenë i mashtruar, atëherë bëhet bashkëfajtor.

    Lexo edhe:  Gjuriq paralajmëron ardhjen në veri të Kosovës

    Ratifikimi ishte zdrukthtari e jo demokraci. Nga pyjet e atyre 8.200 hektarëve u nxor sall një karrige kryeministri.”, ka shkruar Kurti në Facebok.