Analisti nga Amerika tregon se kur është dashur të vendoset taksa 100% ndaj Serbisë

    Analisti politik dhe publicisti qe jeton dhe vepron në SHBA, Ramiz Bojaj vlerëson se tani Kosova është në kurth, sepse janë aventurat e papërgjegjshme të presidentit të shtetit, Hashim Thaçi, që kanë futur kryeministrin Ramush Haradinaj në kurthin e tradhtisë tij, e bashkë me këtë edhe Kosovën.

    “Janë më shumë se 100 vjet qe Serbia u angazhua të gjejë një toptan shqiptar në Kosovë, i cili konkretizon planin serbo-rus, për krijimin e territoreve serbe e shqiptare në Kosovë, në kontekst të të cilit vjen ndarja e vendit tonë. Taksa 100% ndaj produkteve serbe, edhe pse është dashur të vendoset para 10 vitesh, sot u bë pengesë e bisedimeve për ndarjen e Kosovës.

    Kushdo që shihet si pengesë në këtë rast, futet në kurthet e eliminimit politik, ngase këtu kemi të bëjmë me një veprim pengues në realizimin e planit serb. Lobimi i pandalshëm i presidentit tonë për realizimin e planit serb për shkëmbim territoresh, me automatizëm, ka marrë mbështetjen e aleancës antishqiptare, por tashmë ka acaruar edhe raportet e Kosovës me aleatët tanë, pra edhe me SHBA-në, sepse Amerika është lodhur me aventurierët tanë, të cilët rrënuan shtetin tonë nga brenda, por edhe kredibilitetin e shtetit në kontekstin ndërkombëtar. SHBA-ja ka parime të paluhatshme për paqe, por janë aventurierët tanë, të cilët duke lobuar për interesat e Serbisë, po e paraqesin ndarjen e Kosovës si projekt paqeje”, u shpreh ai.

    Bojaj thotë se ky është manovrim mashtrues i liderëve të korruptuar, të cilët duhet të pezullohen e të ndalën me çdo kusht.

    “Taksa 100% ndaj produkteve serbe është dashur të vendoset menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në 2008, por edhe pse me vonesë dhe pa ndonjë studim paraprak, prapëseprapë duhet të qëndrojë, sepse ka favorizuar në masë të madhe prodhimet vendore, por edhe është bërë mur pengese në planin serb për shkëmbim kufijsh. Anulimi i vizitës në Kosovë të komandantit të Gardës Kombëtare të Iovas, gjeneralmajorit Timothy Orr, tregon dergjen në të cilën ka rënë vendi ynë, pas avancimit të planit serb për ndarjen e vendit tonë. Kjo është pasojë e lobimit të vazhdueshëm të presidentit tonë për ndarjen e Kosovës, përkrahjes nga ana e Edi Ramës në Shqipëri dhe ‘gatishmërisë’ së Serbisë për realizimin e planit famëkeq për shkëmbim territoresh’, vlerësoi Bojaj për “Kosova Sot”.

    Lexo edhe:  Jeremiq e Gjuriq në konflikt për ''kufijtë me Kosovën''

    Sipas tij, Kosova është në kurth të madh, ku injorimi dhe presioni ndërkombëtar për heqjen e taksës është shtuar dhe kjo do të vazhdojë për aq kohë sa të qëndrojë në tavolinë ideja për ndarjen e Kosovës.