Bahtiri i reagon ashpër BE-së: Po financoni kolonizimin e veriut me serbë nga Bosnja, Serbia e Kroacia

Agim Bahtiri i ka reaguar ashpër Bashkimit Evropian përmes një statusi në Facebook.Ai ka thënë se ata po financojnë një projekt që synon kolonizimin e veriut me serbë nga Bosnja, Serbia e Kroacia përmes së cilës sipas tij synohet të ndryshohet struktura etnike e Kosovës. E sipas tij këta janë serbë që nuk kanë jetuar asnjëherë në Kosovë.

“Për kthimin e shqiptarëve në veri është folur shumë edhe nga BE-ja, por asgjë nuk është bërë. Për më keq në veri ka nisur një projekt prej disa milionë euro i ashtuquajtur “Kthimi i qëndrueshëm – mbështetja dhe fuqizimi”, të cilin e financon Bashkimi Evropian, e që ka për qëllim kthimin e serbëve, por që realisht sikur edhe deri më tash do të kthehen serbë që asnjëherë nuk kanë jetuar në Kosovë, por të tillë që kanë probleme me banim në Serbi për shkak se janë me origjinë nga vendet tjera të ish Jugosllavisë”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.

Bahtiri tutje ka fajësuar Qeverinë e Kosovës që të mos i mbyllë sytë para kësaj situate.

“Po ashtu fajtore për situatën e krijuar është edhe Qeveria e Kosovës, ministritë e së cilës të udhëhequra nga Lista Serbe kanë investuar miliona në veri për kthimin e serbëve, por që faktikisht përmes këtyre investimeve synohet kolonizimi i veriut”, ka shtuar ai.

Lexo edhe:  Bërnabiq ministres së Merkelit: Ky është kushti për t’u kthyer në dialog