Bërnabiq tregon çka do Serbia

    Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq paraqiti në Asamblenë e Përgjithshme të OKB qëndrimet e vendit të saj. Bërnabiq foli para një salle me pak vetë.

    Ajo duket shumë e vendosur. Me këmishë blu me shkëlqim dhe xhaketë blu të errët, flokët e shkurtra të lyera me xhel ngjitur nga mbrapa. Fytyrën të hapur dhe ballin që e rrudh sipas rëndësisë së fjalëve. Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, flet në Asamblenë e Përgjithshme, ditën e tretë të debateve. Salla ka pak vetë. Është dita e tretë dhe delegatët e lodhur kanë dëgjuar fjalime pa fund. Të gjitha janë për paqe.

    Paqja është një nga fjalët që dëgjohet të thuhet më shumë edhe nga Ana Bërnabiq. Që në fillim ajo siguron publikun se Serbia është e angazhuar që të zbatojë në praktikë agjendën e sesionit, krijimin e një shoqërie paqësore, të drejtë dhe të besueshme. “Bota sot përballohet me sfidat e pasojave të klimës, migracionit, terrorizmit, populizmit në rritje dhe ndarjeve të mëdha mes nesh në një kohë kur kemi nevojë për konvergjencë më të madhe. Në përpjekjet për të ndërtuar një botë më të mirë ne duhet të fillojmë nga vetja, si individë, pastaj si vende, si rajone e si kontinente”, tha Bërnabiq.

    Serbia ndodhet në rrugën e rigjetjes së vetes, si një shoqëri e begatë, dinamike, shoqëri e hapur, brenda Europës së bashkuar, që është e tërë, e lirë dhe në paqe. Për të gjetur përgjigjen pse futja në BE është synimi ynë strategjik, ne kthehemi tek baza e vlera. Vlera themelore e Bashkimit Europian, po ashtu si e Kombeve të Bashkuara është paqja.

    Trembëdhjetë herë thotë në fjalimin e saj Bërnabiq „peace”, paqe. Jo ekonomi, tregti apo treg më i madh. Është paqja. Bashkimi Europian ka qenë një projekt paqeje i suksesshëm. Dhe ne duam, e kemi të nevojshme të jemi pjesë e tij, që në Ballkan të ketë paqe, stabilitet dhe progres, në këtë rajon të trazuar të botës të njohur si fuçi baroti e Europës.

    Lexo edhe:  Vuçiq duhet ta lexojë edhe një herë Marrëveshjen e Kumanovës para se ta bëjë gati ushtrinë

    Mbasi foli për sukseset e Serbisë katër vitet e fundit, Brnabić, i kthehet sërish paqes: „Ne duhet të marrim përgjegjësi për krijimin e paqes dhe prospertetit…Nuk mund ta theksoj sa duhet, sa i rëndësishëm është bashkëpunimi rajonal dhe stabiliteti për Serbinë… Ne jemi njohur gjithnjë për emocione të mëdha, sakrifica, luftëra poetike, armiqësi tradicionale. Sot Serbia është duke u munduar fort t’i lë këto në të kaluarën dhe të rritet për t’u bërë më e përgjegjshme, dhe jo emocionale, më pragmatke dhe jo u mbytur në mite, krenare për fitoret dhe jo për humbjet, një vend që është duke krijuar miqësi aty ku nuk pritet, aty ku kanë qenë armiqësitë tradicionale. Deri këtu shumë mirë. Po si shkohet tek paqja?

    Retorika e njëjtë si më parë

    Pasi lëvdon presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ajo flet edhe për Kosovën. Ajo sjell këtu çështjen e “Provincës Autonome të Kosovës dhe Metohisë, e cila ndau në mes dhe Kombet e Bashkuara, më pak se gjysma e vendeve anëtare e kanë njohur deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që më shumë se gjysma, që janë më shumë se 5 miliardë njerëz, nuk kanë pranuar ta njohin ndarjen ilegale të Kosovës”. Ajo që Serbia është munduar të bëjë vitet e fundit ka qenë përpjekja për të mbyllur kutinë e Pandorës, hapur dhjetë vjet më parë kur autoritetet e Prishtinës deklaruan pavarësinë dhe shpejt një numër vendesh e njohën këtë deklaratë pavarësie pa marrë parasysh ligjet dhe standardet ndërkombëtare…

    Rruga për paqe

    Serbia sot është e angazhuar për paqe, tha Bërnabiq. “Ne do të vazhdojmë të insistojmë në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për komunitetin serb, por duhet të jemi tolerant dhe të durueshëm. „Ju them se sado i vështirë që të jetë, sado sfidues, sado i pashpresë të jetë dialogu me Prishtinën, ne do qëndrojmë të angazhuar të gjejmë një kompromis që do të sjellë paqe të qëndrueshme, prosperitet dhe të ardhme të ndritur për të gjithë popujt e rajonit”.

    Lexo edhe:  “Nëse s’liberalizohen vizat, do ketë protesta të dhunshme dhe rebelim të qytetarëve”

    Bërnabiq kërkoi mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar për të arritur progres në dialog. Dhe e mbylli duke folur për Serbinë sikur të ishte një vend ideal, me njerëz ideal, që japin kontributin për një botë më të mirë. /DW