Cfarë Ronaldo, shikojeni si e bombardon portën e Manchester United, Xherdan Shaqiri

Anësori kosovar i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, ka bërë një debutim të ëndërruar për skuadrën e tij të re, Liverpoolin, duke shënuar një gol për t’u mbajtur në mend dhe duke dhuruar një asist ndaj Manchester Unitedit në një ndeshje të turneut parasezonal, International Champions Cup, të dielën në mëngjes në SHBA.

Shaqiri iu bashkua skuadrës së Jurgen Kloppit në fillim të këtij muaji për rreth 15 milionë euro nga skuadra tashmë e rënë nga Premierliga, Stoke City, dhe e shpagoi çdo përpjekje të të kuqve për ta sjellë në “Anfield” qysh në ndeshjen e tij të parë – edhe pse miqësore – ndaj rivalit Manchester United, shkruan Gazeta Express.

United dhe Liverpool u takuan në “Michigan Stadium” në Ann Arbor të Shteteve të Bashkuara, në një ndeshje që i takoi plotësisht skuadrës së re të Shaqirit me rezultat bindes 4-1.

Në një ballafaqim që pati fillim të qetë, ishin djelmoshat e Jurgen Kloppit ata që shënuan të parët, kur Sadio Mane e konvertoi në gol penalltinë e fituar nga Mohamed Salah gjysmë ore brenda takimit.

Reagimi i Manchester United ishte i shkëlqyer, me mesfushorin e talentuar Pereira që realizoi gol fantastik vetëm tre minuta më vonë, duke e lënë të shtangur portierin kundërshtar me goditjen e tij të bukur nga gjuajtja e lirë.

Kaq kishte nga një pjesë e parë mes dy gjigantëve anglezë, mënjeherë pas të cilës kosovari Shaqiri debutoi duke e zëvendësuar Mohamed Salahun.

Edhe në pjesën e dytë pamë një fillim pa gola, para se Liverpool të shpërthente pas zëvendësimeve që Klopp i bëri 25 minuta para fundit, kur ndërroi pothuajse tërë formacionin.

Shaqiri bëri një asist të bukur për Daniel Sturridge në minutën e 66-të, i cili shënoi për epërsinë e dytë të të kuqve.

Liverpooli e ngriti epërsinë në 3-1 kur i riu Ojo shënoi nga penalltia.

Ndërsa, momenti magjik i mbrëmjes i takoi Shaqirit, i cili bëri gol me gërshërë nga rreth gjashtë metra duke tundur rrjetën e United dhe vulosur fitoren e Liverpoolit 4-1.

Kështu duket tabela e International Champions Cup pas kësaj ndeshjeje. /Gazeta Express/