Daut Haradinaj rrëfen një moment të rëndë lufte, kur Lahi Brahimajt iu vranë nëna dhe gjyshja

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka shpalosur një rrëfim të rëndë lufte, që lidhet me familjen e ish-bashkëluftëtarit Lahi Brahimaj, me të cilin ka edhe lidhje familjare.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka treguar momentet kur nga bombardimet e forcave serbe mbi shtëpinë e Lahi Brahimajt, në natën e 2 gushtit të vitit 1998, ishin vrarë nëna dhe gjyshja e Lahiut.

Postimi i plotë i deputetit Haradinaj:

“Natën e 2 gushtit të 98′, pas një beteje tepër të përgjakshme në Jabllanicë, diku rreth orës 12 të mesnatës kam arritë në shtëpinë e Dajës Lahi.

I tërë fshati digjej, dukej sikur hëna po e ndriçon këtë fshat me ngjyrë të kuqe,

Hyra në shtëpi pas një kohe të gjatë dyluftimi që natyrisht ishte triumf.

Në këndin e shtëpisë shumëkatëshe që ishte bombarduar dhe po digjej, nga flakët e djeg’jës e shof një trup të copëtuar njeriu, ajo ishte gjyshja ime, nëna e Lahiut, afër saj ishte edhe gjyshja e Lahiut.

I ri dhe i pa përvojë që isha, përpos përvojës së luftës, i mblodha aq sa munda copat e gjyshës sime dhe gjyshës së Lahisë.

Pasi u nisa me shumë ushtarë të njesive elitë, në dalje të shtëpisë e takova Lahiun dhe Nazmiun. Normalisht që ishte tejet e rëndë, ju drejtova të dyve:

‘Dajë na kanë ra hise kjo farë e keqe e duhet me u mbajtë të fortë se kemi hala punë me kry.

Lufta vazhdoi deri në fund dhe prapë vazhdon.

Vetëm ata që e kanë dhënë jeten e kanë kry luftën…Të tjerët vazhdojnë’. DH” (sic.), ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, lahi Brahimaj, sot ka arrë ftesë për tu intervistuar nga Prokuroria Speciale në Hagë.

Lahi Brahimaj ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me bazë në Shtabin e Jabllanicës në komunën e Gjakovës dhe shërbeu si zëvendëskomandant në zonën e Dukagjinit për një periudhë të shkurtër si dhe ishte vartës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Ramush Haradinajt, e njihej me pseudonimin “Magjupi”.

Lexo edhe:  Haradinaj nga Prekazi: Nuk ka ditë më të madhe se Dita e Jasharajve

Brahimaj ishte gjykuar edhe nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ku në nëntor të vitit 2012 ishte shpallur i pafajshëm.