Deklaratë inkurajuese e Zaevit për shqiptarët e Maqedonisë

Në 17-vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, ende shumë punë mbetet për t’u bërë për përfaqësimin e denjë dhe të barabartë të shqiptarëve.

Zëvendëskryeministri për çështje Evropiane në Maqedoni, Bujar Osmani, thotë se implementimi i kësaj marrëveshjeje paqësore tanimë ka marrë një dimension tjetër.

Sipas tij, shqiptarët nuk duhet të shihen vetëm si punësime dhe numra nëpër institucionet vendore por se ngritja e tyre në poste udhëheqëse tani paraqet sfidën dhe zbatimin e anës tjetër të kësaj marrëveshje.

Ai shtoi se pjesa legjislative e zbatimit të MO-së është kompletuar me miratimin e Ligjit të Gjuhëve ndërkaq hyrja në fuqi e këtij ligji është dimension tjetër.

Ndërkohë kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, pranoi se përfaqësimi i shqiptarëve nëpër institucionet publike të vendit nuk është i duhuri, por se do të punohet për përmirësimin e gjendjes.

“Deri më tash nga ajo që e dimë se gjithsej 19% është përfaqësimi i shqiptarëve është në institucionet publike që do të thotë është më e vogël nga numri total. Ne do të vazhdojmë të punojmë më tej por edhe me bashkësitë tjera etnike përqindja e përfaqësimit nuk është e duhura nëpër institucionet publike. Në seancën e fundit të Qeverisë referonte Drejtoria për të ardhura publike për institucionet përqindjet. Në secilën seancë të Qeverisë do të ketë nga një institucion me qëllim që të mobilizojmë nga aspekti i përfaqësimit të barabartë që të gjithë qytetarët të jenë pjesëmarrës në punët e shtetit edhe atë duke ndërtuar një shoqëri për të gjithë, para së gjithash që të gjithë qytetarët vendin e tyre ta ndjejnë në të vërtetë si të tyre, si në aspektin e të drejtave po ashtu dhe përgjegjësive”, tha Zaev, raporton Kosovapress.

Kreu i opozitares VMRO-DPMNE Mickoski e shfrytëzoi shënimin e kësaj dite për të thënë se Qeveria e ka më se të nevojshme të zbatojë reforma në ekonomi, arsim dhe shëndetësi.

Ndryshe, në ceremoninë e shënimit të 17-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit nuk ishte prezent Hazbi Lika zv/ kryeministër për zbatimin e MO-së i cili është personi më kompetent për të treguar mbi implementimin dhe sfidat me të cilat përballet kjo marrëveshje.

I pyetur nga gazetarët për mungesën e Likës, zv/kryeministri Osmani tha se Lika në mungesë të prezencës së tij fizike, iu është drejtuar të pranishmëve përmes një letre përshëndetëse në nder të shënimit të kësaj date.