Deputeti Ismaili heq dorë nga statusi i veteranit, gris certifikatën

    Deputeti i PSD-së, Fisnik Ismaili përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ka hequr dorë nga statusi i veteranit të UÇK-së pas skandalit të fundit me listat e fryra të veteranëve.

    Ai madje ka postuar një foto ku shihet certifikata e tij e grisur, transmeton Koha.net.

    “Regjistrimi i veteranëve është bë dy herë. Herën e parë menjëherë mbas lufte, kur u pata kthye në Londër, edhe nuk u pata lodhë me aplikue, kur mora vesh se maca e kuca ishin ba veteranë. Para 5 vjetësh u bë rishikimi i veteranëve, me komision, e me krejt procedurat e rregullta kishe, pikërisht për shkak të macave e kucave. Këtë herë aplikova, me shpresë se të paktën kjo vlerë e luftës nuk shkërrdhehet”, shkruan Ismaili.

    Ai më tutje shton se, “por, edhe pata premtue se, nëse del vetëm një veteran i rremë në listat e reja, unë kam me çue dorë prej statusit tim, për të cilin edhe jam deklarue se nuk kam me marrë beneficione deri të pensionohem, edhe asnjë cent të vetëm, qoftë edhe për parkingjet e veteranëve, nuk e kam shfrytëzue deri tash”.

    Ismaili thotë se veteranët e vërtetë s’kanë çka lypin në këto lista, pasi askush nuk po i largon veteranët e rremë. E thekson se askush luftën s’e ka bërë për me fituar pare në emër të saj.

    “Meqë kurrkush nuk po ndërmerr kurrgja me i largue mija veteranë të rremë prej listave, atëherë veteranët e vërtetë s’kemi çka lypim aty. Luftën s’e kemi bë as për mirënjohje, as për qertifikata, as për me fitue pare në emër të saj. Sot po e mbaj premtimin. Pak gjana në jetë më kanë dhimbtë sesa ky sot”, ka shkruar ai.

    Lexo edhe:  Ramush Haradinaj: S’ka mik më të mirë për paqen se FSK-ja, por s’ka as armik më të keq për armiqtë e paqes