Donika Kadaj i gjen punë motrës në Ministri të Mbrojtjes si përkthyese e gjuhës serbe

    Në vazhdën e punësimeve masive të AAK’së, del që edhe motrës së Donika Kadaj- Bujupit i është bërë një vend në Ministrinë e Mbrojtjes, të cilën e udhëheq partia e Kryeministrit Ramush Haradinaj.

    Ena Kadaj – Krasniqi, motra e deputetës së AAK’së është punësuar para disa muajve në Ministrinë e Mbrojtjes, më saktësisht gjatë kohës kur po bëhej transformimi i FSK’së në Ushtri. Pak ditë më parë u bë e ditur se edhe burri i Donika Kadaj –Bujupit është punësuar në Telekom.

    Zëdhënësi i ministrisë, Ibrahim Shala, në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, ka konfirmuar se motra e deputetes është angazhuar në MFSK, me kontratë për shërbime të veçanta.

    “Ena Krasniqi nuk figuron në listë të pagave të Ministrisë së Mbrojtjes. Për shkak të vëllimit të shtuar të punëve, ka qenë nevojë e domosdoshme dhe kërkesë e vazhdueshme nga DMP (Departamenti për Marrëdhënie me Publikun) por edhe nga NALT-i (Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s), që gjatë fazës së transformimit të FSK-së, të gjitha dokumentet që publikohen në veb faqen e ministrisë, të jenë të përkthyera edhe në gjuhë serbe. Ena Krasniqi, është e punësuar përkohësisht me marrëveshje për shërbime të veçanta. Nuk është e punësuar me kontratë mbi vepër, e as me kontratë të rregullt”, thuhet në përgjigjen e MFSK’së dhënë Expressit.

    Së fundmi është raportuar për dhjetëra familjarë të zyrtarëve të AAK’së që kanë zënë vende në kompanitë dhe institucionet publike gjatë Qeverisjes Haradinaj.

    Deputetit Bekë Berisha i punon gruaja në Telekom. Aty është punësuar rishtas edhe djali i deputetit tjetër, Muharrem Nitaj.

    Nitaj një djalë e ka rahatuar në Telekom, ndërsa tjetrin në kompaninë “Pastrimi”, aty ku është punësuar edhe gruaja e Shkumbin Demaliajt.

    Lexo edhe:  Milaim Zeka godet Kadri Veselin

    Ndërkaq Telekomi që është buzë falimentimin ka punësuar para pak muajsh edhe të fejuarën e djalit të ministrit Pal Lekaj.