Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë tregon arsyen e rritjes së numrit të rasteve me koronavirus

Në Komunën e Prishtinës sonte janë konfirmuar edhe 41 raste të reja me koronavirus.

Kjo ka ardhur pas 100 testimeve që janë bërë në Prishtinë.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka thënë se shumica e testimeve janë bërë në QKUK, kurse një numër i vogël i tyre në Qendrat e Mjeksëisë Familjare.

“Sot u konfirmuan edhe 4 1 raste të reja, 34 raste janë testuar në Klinikën Infektive , kurse 7 prej tyre janë testuar në Qendrat e Mjekësisë Familjare. Kurse të shëruar sot i kemi 7 pacientë”, ka thënë Gashi.

Ai shtoi se numri i madh i rasteve është i pritshëm për shkak të lëvizjes dhe jetës normale që sipas tij po zhvillohet në kryeqytet.

“Me këtë numër të madh, pra shifrat që po rezultojnë ditëve të fundit janë të pritshme, për shkak të numrit të madh të rasteve aktive dhe jetës normale që po zhvillohet në kryeqytet. Prishtina në ditët e fundit ka regjistruar një numër të madh të rasteve me koronavirus”, ka thënë Gashi në Rtv Dukagjini.

Në Prishtinë deri më sot janë konfirmuar 625 raste me koronavirus, 149 pacientë janë shëruar dhe 4 persona kanë vdekur.