Edhe hoxhallarët që flasin kundër Skënderbeut tonë, nga serbët paguhen, edhe këtu, edhe në Kosovë

Nga Spartak Ngjela

Politika amerikane tani duhet t’i mbrojë hapur reformat demokratike në Shqipëri, sepse korrupsioni po punon kundër.

Duhet mbrojtur hapur, edhe SPAK-u, edhe listat e hapura në sistemin zgjedhor; sepse edhe ky sistem të votuari duhet parë si pjesë e pandarë e SPAK-ut. Por gjithashtu, ky duhet konsideruar edhe si ingredienti historik i aleancës amerikano – shqiptare.

Shqiptarët sot kanë vetëm një shpresë: Amerikën dhe drejtimin me forcë të reformave antikorrupsion në Shqipëri prej politikës amerikane. Sepse, nga të gjithë ndërkombëtarët perëndimorë, forcë në shoqërinë shqiptare ka vetëm Amerika.

l.
E vetmja shpresë e shqiptarëve është forca e politikës amerikane kundër kurrupsionit të lartë shtetëror.
Pas eliminimit të këtij korrupsioni, gjithçka do të ecë drejt ngjitjes së nivelit të lartë intelektual shqiptar në drejtimin e Shqipërisë. Do të vijojë zhvillimi integral i saj, dhe politika e lartë amerikane do ta kuptojë realisht çdo të thotë për të aleanca e saj e ngushtë me shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.

Prandaj nuk duhet të ketë asnjë stepje apo tërheqje, apo zbutje të qëndrimit amerikan, sepse janë të shumtë individët e korrupsionit të lartë shtetëror dhe të medias shqiptare që kanë sot orientim nga Moska, Beogradi apo nga Athina, kundër reformës që ka nisur.

ll.
E gjithë kjo trysni, që më së shumti vjen nga Moska dhe nga Beogradi, është një metodë e vjetër që punon me përkrahësit e brendshëm në Shqipëri, të cilët kërkojnë t’i japin shoqërisë shqiptare karakter oriental, duke u nisur nga feja islame.

Serbët kanë dyqind vjet që po e luajnë këtë kartë të gënjeshtërt, në një kohë që dihet si fakt historik se vetë serbët kanë qenë aleatë të paskrupullt të osmanëve dhe armiq të egër kundër katolikëve shqiptarë. Dhe sot po duan të tregohen mbrojtës të Perëndimit dhe të krishtërimit, kundër nesh. Është ligësi shekullore serbe, që amerikanët tani e njohin mirë dhe qeshin me ta.

Por serbët, le t’i bien këmbës. Shqipëria dhe shqiptarët janë të lidhur me heroin kombëtar panshqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeun. Ky është sekreti i shpirtit të lartë shqiptar që e lidh atë me qytetërimin perëndimor, më shumë nga të gjithë fqinjët e tij armiqësorë dhe pushtues territoresh shqiptare.

lll.
A është ende në zë sot kjo frikë e serbëve dhe grekëve nga heroi ynë kombëtar?
Kjo ka qenë dhe mbetet të jetë frika e tyre e tmerrshme, prandaj me veglat e veta këtu, të paguar prej tyre, janë hedhur kundër Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Edhe hoxhallarët që flasin kundër Skënderbeut tonë, nga sebët paguhen, edhe këtu, edhe në Kosovë.
Po mirë, kujt duan t’i mbushin mendjen këta me këtë luftë antikastriotiane?!!
Janë qesharakë. Politikën amerikane do të indoktrinojnë këta kundër origjinës puro shqiptare të Heroit tonë Kombëtar? Politikën amerikane mendojnë të bindin këta! Nuk e di politika amerikane që serbët kanë ardhur në Gadishullin Ilirik nga stepat e Azisë dhe jetojnë në funksion të genocidit antishqiptar?! Nuk e dinë këta serbë pa nivel se politikanët amerikanë vijnë nga Harvardi, nga University of Chicago, nga Yale University…? Pse, këta serbë të dalë boje, me një tufë të çmendurish do t’i bindin për historinë harvardasit, se cila është historia e Gadishullit Ilirik dhe cilët janë shqiptarët në këtë Gadishull?

Është për të qeshur. Po pse, ende nuk e keni marrë vesh që politika serbe është ligësi me logjikë fëminore kundër shqiptarëve?
Pse, si mendoni ju, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e evokoi kot para disa ditësh figurën heroike të Gjergj Kastriotit?
Ajo e evokoi pikërisht për t’iu thënë serbëve “kot e keni, aleanca jonë me Shqipërinë dhe shqiptarët, i ka rrënjët te epopeja e ndritur e luftërave kastriotiane kundër Turqisë Osmane”.

lV.
Në funksion të gjithë kësaj, po dëgjojmë që Aleksandër Vuçiç paska shkruar dhe hedhur në botim një libër antishqiptar, duke mbrojtur manastiret serbe në Kosovë.
Asgjë nuk mund t’i bëjë dot Serbia dhe Aleksandër Vuçiç Shqipërisë dhe shqiptarëve. Le të botojë jo një, po njëqind libra Vuçiç kundër origjinës së shqiptarëve. Pyetja që më duhet të ngre unë këtu është kjo: a ia pranon Harvadi këtë libër serbit Vuçiç? Për ta përdorur si komedi bisedash dhe për të qeshur sërisht me një budallallëk antishqiptar me ligësi serbe, sigurisht që po. Katedrat e historisë në universitete prestigjiozë të Amerikës e kanë të provuar që manastiret e ashtuquajtura serbe janë kishat e katolikëve shqiptarë që hordhitë serbe deshën t’i shfarosin si etni dhe si fe gjatë mesjetës së vonë. Po Vatikani, nuk e di këtë? Vërtet mendojnë këta injorantë me ligësi mesjetare se ka mbetur Vatikani t’ia tregojë Aleksandër Vuçiç historinë e katolicizmit dhe krishtërimit në Shqipëri, kur këtë e ka sjellë këtu apostulli Shën Pal?

V.
Historia përsërit vetveten. Në vitin 1878, pas luftës ruso – turke, Rusia donte të dëbonte Austro-Hungarinë nga Ballkani, sepse ajo kish aleancë me shqiptarët. Edhe sot e njëjta gjë: Rusia po kërkon të largojmë Amerikën nga Ballkani Perëndimor, sepse kjo ka aleancë me shqiptarët. Ja pra, kjo është arsyeja që ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, në çdo rast deklaron aleancën shqiptaro-amerikane dhe historinë evropiane dhe perëndimore të popullit shqiptar.