Flasin familjarët e 28 vjeçarit të vdekur nën rrënoja: Visari nuk ka pasur kontratë pune

    Shembja e një pjese të ish hotelit “Adriatiku”, në Mitrovicë, i mori dje jetën Visar Behramit, 28 vjeçar, i cili mbeti nën rrënoja për më shumë se gjashtë orë.

    Viktima, së bashku me tre persona të tjerë, ishte duke punuar në objekt, në momentin e shembjes së tij. Tre të tjerët shpëtuan, ndërsa Behrami, i cili mbeti nën rrënoja, u nxjerr i vdekur pas kërkimeve nga njësitë e policisë, zjarrfikëseve dhe FSK-së.

    Sipas familjarëve, në vendin ku Visari po punonte, nuk kishte as kontratë pune, por punonte vetëm herë pas here, për të mbajtur familjen e tij.

    KALLXO.com ka qëndruar gjatë ditës së sotme në fshatin Suhodoll të Mitrovicës, ku familjarët e kanë hapur derën e shtëpisë për të mbajtur të pamen për 28 vjeçarin.

    Lavdim Behrami, djali i xhaxhait të viktimës, ka thënë treguar për KALLXO.com se në çfarë kushte punonte Visari.

    “Kemi emocione të veçanta për atë që ka ndodhur por emocionet tona nuk dalin përtej caktimit të zotit, ajo që ka dashtë zoti edhe ka ndodhë. Ka qenë në vendin e punës ka qenë për idaren e familjes, ka qenë në kushte jo të plota të punës, jo me dëshirën dhe zgjedhjen e tij, ka ndodhur ajo që ka ndodhur, inshalla e fundit vjen me hajr e me të mirë”, është shprehur Behrami.

    Ai tutje ka shtuar se viktima në atë vend të punës, punonte vetëm herë pas here.

    “Kontratë pune nuk ka pasur fatkeqësisht, në punë të rregullt nuk ka qenë sepse ajo ka qenë punë sezonale, se si kanë shkuar ato ne jemi ende në procedurë me shiku se si ka shku por kontratë të punës nuk ka pasur”… “Në kompaninë në fjalë ka punuar kohë pas kohe, nuk ka pasur orar të rregullt, ata kur kanë marrë punë prej ndonjë tenderi ka punu”, është shprehu Behrami.

    Lexo edhe:  Zëdhënësi i Prishtinës tallet me takimin e Kurtit me Sali Berishën

    Në lidhje me këtë rast janë arrestuar dy persona të dyshuar, njëri në cilësinë e punëdhënësit dhe njëri në cilësinë e punë kryesit, ndaj të cilëve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

    Behrami është varrosur sot në fshatin Vidimiriq të Mitrovicës.

    Komuna e Mitrovicës të martën e ka shpallur ditë zie në nderim të punëtorit 28 vjeçar i cili vdiq nën rrënoja.

    Komuna gjatë ditës së sotme ka njoftuar se pas vdekjes së Behramit, është formuar një komision për verifikimin e gjendjes faktike në ish- hotel “Adriatiku”, në përbërje nga zyrtarë komunal të Drejtorisë së Inspeksionit, Drejtorisë së Urbanizmit dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

    Ky komision komunal do të obligohet që pas kryerjes së punës të përpilojë raport me shkrim lidhur me gjendjen faktike të objektit dhe të sugjerojë për veprimet konkretë që duhet të ndërmerren, i cili më tutje do tu dërgohet organeve kompetente të sigurisë.