Fyen kosovarët, shpallen në kërkim dy radikalët fetarë

    Nisur nga publikimet në media një ditë më parë, lidhur me dy radikalë fetarë katolikë shqiptarë të cilët përmes disa videove, dëgjohen teksa ofendojnë besimtarët myslimanë shqiptarë, kryesisht ata nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët kanë zgjedhur të pushojnë në bregdetin tonë, ka reaguar Policia e Shtetit.

    Policia e Shtetit njofton se ka nisur menjëherë verifikimet përkatëse për të vënë para përgjegjësisë ligjore këta komentues të cilët me komentet e tyre nxisin urrejtjen dhe grindjet. Nga tërësia e veprimeve procedurale të kryera janë identifikuar dy personat që kanë folur me gjuhën e urrejtjes të cilët janë A.Z,, 39 vjeç, banues në Hot, Malësi e Madhe dhe L.M, 36 vjeç, banues në Kallmet Lezhë.

    Të dy këta persona janë shpallur në kërkim policor pasi nga verifikimet ka rezultuar të jenë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

    Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Lezhë për veprën penale të “Nxitje e urrejtjes ose grindjeve” parashikuar nga neni 265 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë dhe po punohet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet.

    Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të goditur çdo aktivitet të kundra ligjshëm dhe për siguruar një mjedis të përshtatshëm dhe të sigurtë për të gjithë shtetasit shqiptar apo të huaj që kanë zgjedhur vendin tonë për të kaluar pushimet verore.

    Kombi shqiptar mbështetet mbi vlerat e tij historike të lirisë, paqes me fqinjët dhe kombet e tjera, bashkëjetesës dhe harmonisë ndër fetare. Këto janë vlera qytetëruese që rrezatojnë në botë dhe kontribuojnë në të ardhmen evropiane të rajonit.

    Lexo edhe:  Mësoni se a do të bjerë borë nesër në Kosovë