Hashim Thaçi udhëtoi në “Business Class” me 6 mijë euro biletë

    Më 16 shtator të vitit 2011, ish-kryeministri Hashim Thaçi, kishte shpenzuar afër 6 mijë euro për biletën e udhëtimit të tij për në ShBA dhe 6 mijë të tjera për këshilltarin e tij, Bekim Çollaku.

    Pas kthimit kishte treguar se me kë ishte takuar dhe kishte premtuar ‘kufij të pandryshueshëm’ për Kosovën.

    11 mijë e 400 euro kishin kushtuar biletat e ish-kryeministrit me këshilltarin e tij. 5 mijë e 700 euro kishte kushtuar bileta e Hashim Thaçit dhe po aq ajo e Bekim Çollakut për në ShBA.

    Në faturat e marra pas 6 vitesh nga BIRN, del që bileta e tij e datës 17 shtator i ka kushtuar arkës së shtetit 5 mijë e 715 euro.

    E pas 10 ditëve qëndrimi atje, më 26 shtator të atij viti, referuar Zyrës së Kryeministrit, Thaçi veç tjerash kishte deklaruar se mesazhi i dhënë është se vendi ynë mbetet me kufij të pandryshuar.

    “Kosova është një, e pandashme, unike, me kufij të pandryshuar dhe me mbështetje të plotë ndërkombëtare”, është titulli i komunikatës së botuar në faqen e Zyrës së Kryeministrit.

    “…por është edhe mesazhi se Kosova është një, e pandashme, unike, me kufij të pandryshuar dhe me mbështetje të plotë ndërkombëtare”, kishte deklaruar Hashim Thaçi si kryeministër 6 vite më parë.

    Por, sot Hashim Thaçi president ka tjetër mendim për kufijtë që dikur i quante të pandryshueshëm.

    Thotë se ‘korrigjimi i kufijve’ do të jetë temë në bisedimet e Brukselit.

    Madje ai ishte shprehur i bindur për liberalizimin e vizave, që as sot nuk është jetësuar.

    “Flas me besim të plotë se tetori do të jetë muaji i përkushtimit të ofertës konkrete nga Brukseli për Kosovën për procesin e liberalizimin e vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe marrëdhënieve tregtare. Kjo po ndodh për herë të parë për Kosovën dhe në fakt dhe de-jure Kosova do të trajto et si shtet nga vendet e BE-së”, kishte thënë ai, shkruan kallxo.

    Lexo edhe:  Kërcënon Haziri, bashkim me Luginen, ose trazira në Ballkan

    E gjatë vizitës në Nju Jork, Thaçi kishte takuar edhe homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan.

    Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

    Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

    Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te truprojat e qeveritarëve të lartë.