Hoxha nga Peja: Burka të ndalohet, është adet arab

    Hoxha nga Peja, Drilon Gashi, po thotë se burka duhet të ndalohet sepse është adet arab dhe se nuk është rit fetar. Sipas hoxhës, nuk ka ajet kuranor apo hadith që urdhëron diçka të tillë.

    Ky reagim i hoxhës erdhi pas lajmit që u publikua nga Gazeta Express se si një grua në Luginën e Preshevës po u ligjëron fëmijëve e veshur me burkë.

    “Burka nuk është urdhër as kuranor dhe as fjalë e profetit Muhamed. Më shumë është adet arab që është futur në fe dhe tash po konsiderohet si rit fetar”, ka thënë hoxha Drilon Gashi për Gazetën Express.

    Ndërsa lidhur me rastin e mësueses që po iu ligjëron fëmijëve të moshës 6-9 vjeç, hoxha Drilon Gashi tha se kjo është e paarsyeshme pasi para fëmijëve nuk obligohet as shamia e lëre më burka.

    “Veshja e burkës në klasë është më e arsyeshme me u ndalu. Kjo sepse nxënësi kur e sheh mësuesen me burkë, ai mund të frikësohet. Madje para fëmijëve nuk është e obliguar as shamia, e lëre më burka”, është shprehur hoxha Drilon Gashi.

    Mbulimi i tërësishëm i fytyrës nuk mund të përligjet me norma fetare. Kështu ka thënë edhe profesori i Fakultetit të Studimeve Islame, Xhabir Hamiti.

    Duke interpretuar Kuranin, ai ka thënë se me Librin e Shenjtë fytyra e njeriut është pa burkë.

    “Njeriu është i lirë të vishet si të dojë, por mbulimi i tërsishëm i fytyrës nuk mund të përligjet me norma fetare. Mbulimi i plotë i fytyrës është një prodhim i grupeve dhe shoqërive të caktuara, si rezultat, kryesisht i injorancës fanatizmit, konservatizimit dhe interpretimit ideologjik sektar”, ka shkruar ai në Facebook.

    “Sipas Kuranit, fytyra e njeriut edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër është – pa peçe, burka, pa ferexhe, pa nikabe. Ajo është e lartësuar estetikisht, si e tillë është e zbuluar, sepse në të janë shqisat më të rëndësishme”komunikuese” të qenies njerëzore: sytë, veshët, hunda, goja etj.”, ka theksuar Hamiti.

    “Fytyra e njeriut në Kuran përmendet në raportin moral dhe emocional si pjesë shprehimisht shpirtërore e trupit të njeriut. (Me shpinë nuk mund të qeshim ose të mrrolemi! As me bark, as me gjoks, nuk qeshemi/murrëtohemi, etj.!) Vetëm në fytyrë shpërfaqet fuqishëm gëzimi, shendi e hareja, por edhe pikëllimi, mjerimi, depresioni, melankolia dhe zia”, ka shkruar ai.

    “Religjionet semite, as cilatdo fe të tjera të botës nuk e lidhin konceptin e lakuriqësisë me fytyrën e njeriut. Në Kuran dhe hadith fytyra e njeriut nuk trajtohet asgjëkundi si pjesë e trupit që është “lakuriq” ose “cullak”!”, ka thënë Hamiti.

    Gazeta Express sot ka raportuar se një mësuese me burkë (mbulimi i tërësishëm i fytyrës me përjashtim të syve) ka vendosur t’i mësojë disa fëmijë të moshave 6-9 vjeç. Një veshje e tillë është ndaluar në shumicën e vendeve të BE’së të përdoret në rrugë, në Luginën e Preshevës, një grua e tillë lejohet të mbajë mësim para fëmijëve.

    Austria, Danimarka, Franca, Belgjika, Bullgaria, Holanda janë vetëm disa prej vendeve të BE’së që e kanë ndaluar përdorimin e burkas (veshje e kulturës arabe e mbulimit të fytyrës dhe trupit).

    Madje, në Gjermani është ndaluar mësueseve të japin mësim nëse kanë veshje të tilla arabe.

    Por, në Luginën e Preshevës, e kanë gjetur një mësuese me burkë për t’i mësuar fëmijët.

    E njëjta u ka mbajtur ligjërata mësuesve për çështje fetare të besimit islam.

    Në Kosovë ka pasur një debat lidhur me këtë veshje arabe derisa Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriu ka kërkuar të ndalohet një veshje e tillë me ligj.

    Disa ekstremistë fetarë të linjës së Fuad Ramiqit kanë përkrahur vajzat dhe gratë që bartin burka dhe të njëjtat të lejohen edhe të japin mësim nëpër shkollat publike në Kosovë.

    Megjithëkëtë, filozofi Blerim Latifi ka shkruar se burka ka një origjinë reale, dëshirën shoviniste të burrave për të ushtruar kontroll ndaj grave, dhe interpretimet e tjera janë përralla klasike.

    “Burka ka veç një origjinë reale: dëshirën shoviniste të burrave për të ushtruar kontrollin total mbi jetën e grave dhe për t’i trajtuar ato si pronë të tyre private. Interpretimet tjera janë variante të përrallave klasike!”, ka shkruar Blerim Latifi.

    Edhe profesori i UP’së, Milazim Krasniqi, kishte shpjeguar se burka s’ka të bëjë fare as me islam dhe as me shqiptar.

    “Burka ka të bëjë me veshjen paraislame të banorëve të shkretëtirës, si pjesë e mbrojtjes nga stuhia ranore. Pra, faktikisht nuk ka të bëjë me islamin po me njerëz që jetojnë në ato hapësira dhe në kushte ekstreme të motit. Fatkeqësisht, ia kanë ndajmbathur fesë, por nuk është pjesë e saj”, kishte thënë Krasniqi për Express.