KMDLNj i kundërpërgjigjet Mogherinit: Ultimatumi juaj i pamoralshëm

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, kohë më parë, pasi u bë publik vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 10% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja pati reaguar duke kërkuar që kjo taksë të bëhet së paku 50% për faktin se këto dy shtete, përveç se nuk e njohin Republikën e Kosovës, me të gjitha forcat po punojnë për shkatërrimin e saj, në të gjitha fushat madje edhe aty që nuk ka të bëjë me çështje politike siç janë sporti, kultura, liria e lëvizjes, liria e bashkëpunimit joqeveritar, etj.

Sipas KMDLNj-së, në raportet midis dy shteteve, vendosja e kësaj mase nuk është e arsyeshme kur ato raporte janë normale apo në përputhje me dokumentet ndërkombëtare e që respektohen nga të dyja palët.

“Kjo masë është e nevojshme dhe e domosdoshme e cila e mbron prodhuesin vendorë, e mbron cilësinë e prodhimit, e lufton kontrabandën dhe evazionin fiskal sikur që e mbron qytetarin dhe shtetin dhe në anën tjetër e sfidon diskriminim e hapur dhe zbatimin e standardeve të dyfishta që BE ua bënë Kosovës dhe qytetarëve të saj. Trajtimi që BE ia bënë Kosovës dhe qytetarëve të saj duke ua kufizuar lirinë e lëvizjes përmes mohimit të liberalizimit të vizave ndonëse i ka plotësuar të gjitha kriteret teknike është trajtim degradues, poshtërues dhe skajshmërisht diskriminues. BE, përkatësisht disa krerë të saj kanë pasur qasje vardisëse ndaj Serbisë duke e inkurajuar ndërhyrjen flagrante në punët e brendshme të Kosovës përmes formimit , mirëmbajtjes, fuqizimit dhe financimit të sistemit paralel në Kosovë. BE e ka ndarë qytetin e Mitrovicës në dy pjesë, po e pengon hapjen e urës dhe lirinë e lëvizjes duke mos e qortuar Serbinë për asnjë veprim, mos-përmbushje të marrëveshjeve të nënshkruara dhe sabotim të Institucioneve të Kosovës përmes Lista Srpska”, bëhet e ditur në një komunikatë të KMDLNJ-së.

Lexo edhe:  Kaq do të rriten pagat e Policisë së Kosovës

Sipas Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ultimatumi jo normal i Frederica Mogherinit si promotore e ndërhyrjes së Serbisë në punët ekskluzivisht të brendshme të Kosovës është veprim i pamoralshëm, nga pozita e të fortit dhe në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut, si vlera themelore të demokracisë e të cilat në përfundim të mandatit të saj i shkel brutalisht.

“Institucionet e Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohen këtij Ultimatumi të pamoralshëm por duhet të shkojnë përtej këtyre masave ndaj Serbisë duke e zbatuar reciprocitetin 100%. Institucionet e Kosovës duhet t’i pezullojnë bisedimet në afat të pacaktuar derisa Kosova të trajtohet nga BE në bazë të atyre standardeve me të cilat po trajtohet Serbia dhe vendet e rajonit. Kosova , nga BE dhe disa burokratë të saj nuk po trajtohet si duhet por po keqtrajtohet në kundërshtim me të drejtat elementare të njeriut. Institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin masa ligjore ndaj të gjitha atyre bizneseve vendore që e përfaqësojnë, promovojnë dhe zbatojnë interesin ekonomik të Serbisë duke e dëmtuar Kosovën për aq kohë sa nuk do të ketë reflektim pozitiv të Serbisë dhe ndërprerje të trajtimit poshtërues nga BE ndaj qytetarëve të Kosovës”, bëhet e ditur më tutje në komunikatën e KMDLNJ-së.

Qytetarët e Kosovës nuk duhet të blejnë prodhime nga Serbia dhe Bosnja thekson KMDLNj, deri në tejkalimin e situatës së krijuar nga Serbia dhe Bosnja e që kanë qëndrim armiqësorë. Sipas KMDLNJ-së, përshkallëzimin e situatës po e provokojnë politikanët e papërgjegjshëm kosovarë, shovenistët dhe institucionet shtetërore dhe kriminale të Serbisë dhe disa burokratë karrieristë dhe të pandjeshëm të BE- së.

“Të drejtat e njeriut e kanë dhe njihen si të drejta universale e që garantohen nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut nga Kombet e Bashkuara dhe ato janë të pandashme; nuk ka të drejta të veçanta për Serbinë dhe Bosnjën dhe të drejta të tjera për Kosovën. Përshkallëzimin e situatës po e provokojnë politikanët e papërgjegjshëm kosovarë, shovenistët dhe institucionet shtetërore dhe kriminale të Serbisë dhe disa burokratë karrieristë dhe të pandjeshëm të BE – së kurse, pikërisht këta do të bartin përgjegjësi eventuale dhe të cilat duket të jenë të pashmangshme. Kosova nuk kërkon asgjë përveç se të trajtohet sikur edhe vendet e rajonit, me të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë që i takojnë si shtet”, bën të ditur më tutje KMDLNJ përmes komunikatës.

Lexo edhe:  Me veturë zyrtare në deti

Qeveria e Kosovës dje mori vendim për rritjen e taksës për 100 përqind ndaj produkteve që hyjnë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ky vendim ka nxitur reagime të mëdha jo vetëm në Serbi, por ka nxitur edhe reagimin e Bashkimit Evropian. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojnë menjëherë këtë vendim.