Kur e bënë për spital kapitenin e Prishtinës! Kush ishte Popoviqi që provokoi e ofendoi në baza kombëtare?

Duhet secili të kemi në mendjen tonë dhe mos ta harrojmë dhunën e shfrenuar nga aparati shtetëror serb që ndodhi në vitet e 90-ta mbi sportistët shqiptarë dhe mbi popullin e Kosovës.

Dita e 8 prillit të vitit 1990 nuk harrohet kurrë, kur futbollistët e Prishtinës u sulmuan me shufra gome nga milicia e sigurimit shtetëror, e nxitur nga serbët, pas ndeshjes Prishtina – Proleteri, derbi i Ligës së Dytë Unike (liga e parë B) në ish Jugosllavi, që u përcoll nga 20 mijë shikues në stadiumin e Prishtinës. Ndeshja kishte përfunduar pa gola (0:0), kështu që nëse ndeshja përfundonte baras atëherë ishin penalltitë që përcaktonin se kush do ta fitonte një pikë, kështu triumfoi Proleteri i Zrenjanit me 7:6. Por çfarë ngjau pas kësaj, një historie që nuk harrohet, rrihen keq lojtarët e Prishtinës, sidomos kapiteni Gani Llapashtica.

“Duhet pranuar se zënkat pas përfundimit të takimit i filluan futbollistët e Prishtinës, me vetëdije ose pa të. ‘Xixa’ e para i futi (përshtypja jonë) Muharrem Sahiti, pastaj vazhduan Paçarada e Kollari. Nuk është e vështirë të kuptosh pse u sollën këta asisoj. Jo vetëm këta, por të gjithë lojtarët e Prishtinës iu qasën ndeshjes me ngarkesë të shtuar psikike e të emocionuar së tepërmi nga dëshira për rezultat të favorshëm.

Gufoi mllefi i grumbulluar gjatë 90 (e më gjatë) minutave të ndeshjes, për shkak të pamundësisë të shënojnë fitoren, por edhe për shkak të provokimeve perfide të mysafirëve, më në krye Nebojsha Popoviqin, i cili siç theksojnë prishtinasit, tërë kohën ofendonte kë e kishte afër, pa ngurruar edhe në baza kombëtare.

E nga ata që pësoi më së shumti nga organet e sigurimit ishte Gani Llapashtica, që është shtrirë në njërën nga klinikat e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, në gjendje mjaft të vështirë”. kështu shkruante me 10 prill të vitit 1990 gazetari Mustafë Lecaj, në rubrikën e sportit të ‘Rilindjes’. “S’mund të përshkruhet fare ajo që na ndodhi. Më rrahën katër milicë, pa mëshirë sa u shtriva përtokë. Si e meritova këtë? A thua pse tërë ndeshjen durova provokimet dhe ofendimet e rënda të mysafirëve, ndoshta për shkak se si kapiten që isha, u përpoqa të qetësoja Sahitin e Kollarin. Kjo na ndodh vetëm neve. Më vjen shumë keq veçanërisht nga simpatizuesit tanë. Me një gjindshmëri e mençuri më të madhe e gjitha ka mund të evitohej”, kështu ka deklaruar Llapashtica atëkohë, pra me 9 prill të vitit 1990.

Lexo edhe:  Schumacher po shërohet, ky është veprimi i tij