Lajm shumë i mirë nga fermerët shqiptarë

Komisioni Europian do të lëvrojë 71 milionë euro për programin e IPARD-it.

Misioni auditues i ‘’DG AGRI’ që vizitoi Shqipërinë në datat 24-27 shtator 2018 konfirmoi përmbushjen në nivel të kënaqshëm të kushteve të vendosura në Marrëveshjen e Financimit dhe gatishmërinë për fillimin e zbatimit të tij.

Përfaqësuesit e KE do t’i propozojnë nivelit vendimmarrës dhënien e granteve për fermerët dhe bizneset e interesuara.

Zyrtarisht miratimi pritet të mbërrijë në fund të tetorit duke mundësuar dhe çeljen e thirrjes për aplikime për vlerën e financimit që në total shkon 71 milionë Euro nga buxheti i Komisionit Europian dhe bashkëfinancim 23 milionë Euro nga buxheti i shetit shqiptar, i shtrirë në 5 vite.

Programi IPARD është miratuar me vendim të Komisionit Europian në datë 20 Korrik 2015. Ky program ka si synim të mbështesë fermerët, sipërmarrjet ekonomike bujqësore, përfshirë kooperativat, stabilimentet e përpunimit ushqimor, personat fizikë ose juridikë, mikrosipërmarrjet dhe sipërmarrjet e vogla private jobujqësore të kryejnë investime për prodhimin dhe përpunimin në sektorin e qumështit, të mishit, fruta-perimeve, bimëve të mbrojturave dhe vreshtave. Gjithashtu programi synon të mbështesë Investimet në Akuakulturë, Turizëm Natyror dhe Rural dhe Prodhim të Energjisë së Rinovueshme. Treguesit dhe objektivat parashikojnë se në përfundim të këtij programi do të mbështeten afërsisht 750 projekte investimi dhe do të krijohen rreth 800 vende pune.