Mustafa ‘godet’ Haradinajn, Kurtin, Limajn e deputetët e LDK-së, ja kërkesa e tij

Ku është kufiri i Kosovës me Malin e Zi? E shtroj këtë pyetje, 365 ditë pas ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi. Kështu ka shkruar kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në profilin e tij zyrtar në Facebook, sot kur shënon 1 vit nga ratifikimi i demarkacionit me këtë shtet.

Për aq sa mbaj mend, nga vjeshta e vitit 2015 e deri në fund të vitit 2016, duke marrë shkas nga kjo Marrëveshje, u organizuan veprime të dhunshme dhe kriminale nga ata që ndërtuan kauzën se Kosova me këtë marrëveshje po humb 8200 hektarë. U pengua puna e Kuvendit duke hedhur gaz lotsjellës, shishe të ujit e sprej të syve; nga gurët dhe objektet e forta të protestuesve u plagosën shumë policë, disa edhe me pasoja afatgjata; iu vënë flaka me shishe molotovi ndërtesës së Qeverisë, u sulmua me minahedhës ndërtesa e Kuvendit; u sulmuan ministrat me vezë në rrugë, u gjuajt bombë në ndërtesën e RTK-së dhe te kryetari i Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare”, shkruan Mustafa.

Mustafa ka kujtuar edhe kohën kur për mbi tetë muaj, atëkohë kryeministër, u sulmua.

Unë dhe eskorta ime, e kryeministrit, për mbi tetë muaj rresht u sulmuam. Një herë me gurë nga pusia në të dalë nga Suhareka. Parreshtur u gjuajtëm me vezë, me sfera me ngjyrë, me iriq metalik, të punuar enkas për atentat ndaj meje në rrugën që qonte në shtëpinë time në Prishtinë. U sulmua shtëpia ime nga protestuesit me shishe të molotovit. I vënë flaka, kur ishte vetëm bashkëshortja ime aty. Dhe sot? Asgjë!”, ka shkruar kryetari i LDK-së.

Mustafa thotë se Ministri i Jashtëm i Malit të Zi kishte deklaruar se nuk kanë asnjë kontest të demarkacionit me Kosovën.

Lexo edhe:  Lajm i mirë për kosovarët, kur do të liberalizohen e vizat

Kufiri mbeti aty ku ishte me Marrëveshje. Shpejtim Bulliqi, i cili me një grup i doli në krah z. Haradinaj për kauzën e tij të rrejshme, u bë kryetar i Komisionit. E z. Haradinaj, Kryeministër. Tani heshtin, nuk veprojnë, veç se e ushqejnë me para Komisionin e tyre. Heshtin të gjithë ata që i zënin ekranet televizive dhe mediat tjera kundër Marrëveshjes së demarkacionit. Heshtin edhe deputetët, të cilët atëherë me populizëm të pashoq kundërshtonin marrëveshjen. Disa prej tyre edhe tani deputet e disa jo”, ka thënë tutje Mustafa.

Unë nuk po hesht sot. Por po i pyes të gjithë ata që me kauzë të rrejshme organizuan dhe përkrahën dhunën kundër demarkacionit: ku jeni sot, sepse kufiri mbeti aty ku ishte. Aty ku ju, pas gjithë asaj katrahure që ia shkaktuat vendit dhe asaj marrie, e gëlltitët dhe e votuat. Pyes Kryeministrin e vendit, Qeverinë, Kuvendin, Komisionin shtetëror”, ka shkruar Mustafa.

Por, Mustafa i është drejtuar edhe disa eksponentëve të LDK-së.

Valla, e ndjej të nevojshme por edhe përgjegjësi para opinionit dhe anëtarësisë së LDK-së, të pyes edhe disa deputet të LDK-së, partisë që unë e drejtoj, pse me aq popullizëm e kundërshtuan demarkimin kur LDK ishte në krye të Qeverisë, e me aq dashuri e votuat, kur LDK u rrëzua nga Qeveria. Pse nuk po iu dëgjohet zëri sot? Pse sot s’po kërkoni që kufiri të kthehet në Çakorr e në Zhleb? Çfarë ndodhi me ju? Kush ju qiti fall? Pranone, gjithë ju, se e keni pasur vetëm për vota dhe pushtet. Pranone edhe fajin që i morët në qafë qytetarët dhe i privuat nga liberalizimi i vizave për shkak të egos tuaj”, ka përfunduar kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.