“Nëse LDK ose VV bëjnë kërkesa të tepruara, qytetari do t’i dënojë në zgjedhjet e ardhshme”

    Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka folur rreth situatës së krijuar së fundmi në lidhje me arritjen e marrëveshjes së koalicionit në mes të VV-së dhe LDK-së, duke thënë se të dyja palët duhet të heqin dorë nga kërkesat maksimaliste dhe të ketë shpresë për qytetarët.

    “Mund t tejkalohet nëse ka vullnet për më shumë pragmatizëm nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Në situatën pas-zgjedhore, partia e dytë është shumë komode sepse gjithë presioni i qytetarëve është në partinë e parë për shkak të entuziazmit dhe se i ka fituar zgjedhjet”.

    “Pra, pritet që partia e parë është ajo që do t’i bëjë institucionet. Ajo është në pozitë pak më të palakmueshme sepse s’duhet të bëjë kompromise, dhe mendoj se LVV duhet të bëjë më shumë kompromise. Në këto negociata duhet të ketë edhe plan A, B, C, në mënyrë që të arrihet deri te themelimi i qeverisë. Kurti e ka shansin jetësor ardhjen në krye të qeverisë sepse nuk ka garanci që nëse shkojmë në zgjedhje të reja mund të përsëritet ky rezultat”.

    “Kur bëhen negociata, zakonisht të dyja palët shkojnë me kërkesa maksimaliste dhe gjatw rrugës gjendet një mes. Do të ishte e ndershme sikur LVV-së t’i takojnë më shumë dikastere ministrore me dhënien e përkrahjes së presidentit të ardhshëm, por është gabim i madh që të bllokohen në pozicionet ligjime sepse duhet të ofrohen alternativa të tjera”.

    “Kërkesa e LDK-së është e tepërt. Është absurde që partia e dytë të ketë më shumë pushtet se partia e parë. Edhe LDK edhe VV duhet ta kenë të qartë që të gjithë qytetarët e dinë saktë se cilat janë ato vijat e kuqe që s’duhet të kalohen në aspektin e kërkesave. Nëse LDK ose VV bëjnë kërkesa të tepruara, qytetari do të dijë t’i dënojë në zgjedhjet e ardhshme”.

    “Kërkesat maksimaliste dhe të tepruara do të dënohen në zgjedhjet e ardhshme nëse ato bëhen shkaktare të shkuarjes së re në procesin zgjedhor”.

    “Nëse kaq shumë probleme ka në mes të dy partnerëve që synojnë të bashkëqeverisin, atëherë mund të thuhet lirisht se nuk është një start i mirë, sepse me këtë pingpongun media, pra me shprehjen e pakënaqësive në mënyrë publike dhe në vend se të shushiten në takimet e mbyllura, nuk jep shpresë për një kimi bashkëpunuese në mes të VV-së dhe LDK-së”.

    “Ky do të jetë një zhgënjim për optimistët dhe një realitet për realistët. Mendoj se do të kenë probleme sepse VV e ka marrë mbi supe këtë brengën e madhe të ndryshimeve fundamentale të cilat nuk mund të bëhen se problemet janë sistemore, dhe do të ketë përplasje, sepse ka dallime të mëdha. Dihet konsistenca e VV-së dhe ajo e LDK-së nga ana tjetër”.

    “Ajo që i nevojitet Kosovës dhe këtij koalicioni është që të ketë më shumë pragmatizëm. Pra edhe VV dhe LDK të heqin dorë nga disa qëndrime dhe të ketë shpresë për qytetarët”.

    “Edhe për këtë qeveri pritet që të jetë dy vjet ose dy vjet e gjysmë, sepse mënyra e formimit po e determinon edhe jetëgjatësinë e qeverisë. Deklaratat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës të para disa javëve se janë përafruar me programin, mendoj se nuk kanë qenë reale. Nevojitet shumë kohë që të përafrohen me vullnet të plot, nëse ka vullnet të plotë”, ka thënë Muhaxhiri në KlanKosova.