Nuk ulen çmimet e naftës pasi Haradinaj ndryshon qëndrim pas takimit me naftëtarët

    Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Natëtarëve, të cilëve nuk u ka kërkuar drejtpërdrejt për uljen e çmimit të naftës.

    Mirëpo, ani pse dje ishte shumë i ashpër për mbajtjen lartë të çmimit të naftës në kohën kur ai po ulet në tregun botëror dhe rajonal, sot Haradinaj ishte me i butë, shkruan gazetametro.net

    Ndërkohë që dje kërkonte të “ndalej kjo praktikë e dëmshme”, sot kryeministri ka thënë vetëm se ka shprehur interesimin institucional për këtë çështje.

    “Qeveria e Kosovës me vëmendje po e përcjellë gjendjen në tregun e naftës dhe do të bashkëpunojë ngusht me mekanizmat që e rregullojnë këtë sektor. Në takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Naftëtarëve kam shprehur interesimin institucional për çmimin e naftës dhe derivateve të saj në tregun e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

    Madje Haradinaj ka premtuar se do t’u dalë në ndihmë naftëtarëve, duke u interesuar për ligjet për naftën dhe depove doganore, si dhe taksat.

    “Pasi dëgjova edhe qëndrimin e tyre, premtova për angazhimin tim për zgjidhjen e shumë pengesave administrative me të cilat po përballet ky treg, siç janë mungesa e ligjit për naftën dhe e depove doganore, si dhe taksa për kyçjen në rrugë, të cilat e rrisin koston e importuesve dhe rrjedhimisht edhe çmimin në treg”, ka shtuar ai.

    Sidoqoftë, Haradinaj në fund kërkoi që naftëtarët duhet të kenë kujdes me qytetarët, mirëpo nuk u tregua i prerë si në deklaratën e djeshme ku ftonte organet të marrin hapa konkretë./gazetametro.net.

    Lexo edhe:  Gazetari kroat, Velimir Bujanec ia qet Serbisë ‘dellat’ në shesh – ja çka po bëjnë kundër Kosovës!