Pacolli thotë se në Samitin e Frankofonisë shkon për të siguruar njohje të reja

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës thotë se ka bërë të gjitha përgatitjet përfundimtare për punimet e Samitit të Frankofonisë, që do të mbahet nga data 8 deri më datën 12 tetor, në Erevan të Armenisë.

Kosova do të përfaqësohet në këtë Samit nga Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Sipas njoftimit, ky është rast i mirë për lobim dhe për sigurim të njohjeve të reja.

“Ky është një rast i mirë për Kosovën për lobim pasiqë takimet, që do t’i zhvillojë delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga kryediplomati Pacolli do shfrytëzohen për rritjen e numrit të njohjeve dhe sigurimin e mbështetjes për anëtarësimin e vendit në Organizatata Ndërkombëtare”, thuhet në njoftim të MPJ-së.

Tema e sivjetme e Samitit të XVII-të të Frankofonisë është “Bashkëjetesa në solidaritet, ndarje të vlerave humanitare dhe respekt për diversitetin: një burim paqeje dhe prosperiteti për komunitetin frankofon”.