Pas zhvillimeve të sotme në Bruskel, vjen edhe reagimi i Daçiqit

Prishtina nuk dëshiron dialog, por pret që Serbia nën presion të bjerë dakord për diçka që nuk do të negociohet, diçka që do të jetë një ultimatum, tha ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.Ai tha për RTS se taktika e Prishtinës është për ashpërsimin e situatës, në mënyrë që të nxjerrë ndonjë vendim, sikurse liberalizimi i vizave me BE.

“Ata po llogarisin të tregtojnë me këtë. Këto janë lojëra të rrezikshme për të gjithë rajonin, siç tha Aleksandar Vuçiq, kemi një sërë incidentesh që po ndodhin menjëherë në prag të dialogut”, tha Daçiq.

Sipas tij, është e rëndësishme që Beogradi, para së gjithash, të jetë pjesë e një zgjidhjeje të përhershme për Kosovën, pasi kjo është e rëndësishme për stabilitetin dhe paqen e të gjithë rajonit.

Kreu i diplomacisë serbe gjithashtu theksoi se çdo marrëveshje jopopullore nuk garanton paqe afatgjatë dhe për këtë arsye Serbia është e vendosur në pozitat e saj.Duke folur për Kishën Ortodokse Serbe, ai tha se ishte dakord me qëndrimin se Kosova nuk duhet të ndahet, por çështja është se si të arrihet kjo.

“Lutjet nuk ndihmojnë shumë. Ne jemi për paqen, nuk godasim daullet e luftës, por nëse dikush dëshiron të sulmojë njerëzit tanë, ata duhet ta dinë se do të reagojmë”, përfundoi Daçiq.