Rusia çon në këmbë 300 mijë trupa, alarmohet NATO, çka po ndodh?

NATO e sheh si kërcënimin stërvitjen e madhe ushtarake të Rusisë këto ditë në Vostok.

Sipas aleancës, stërvitja me 297 mijë ushtarë më 11-17 shtator fokusohet në konflikte të përmasave të mëdha dhe përputhet me një formë më “agresive” të cilën Moska e ka shfaqur së fundmi.

“Stërvitja Vostok fokusohet në konflikte të përmasave të mëdha. Kjo përputhet me një sjellje të cilën e kemi parë kohëve të fundit. Është ajo e një Rusie më agresive që rrit buxhetin e mbrojtjes dhe praninë ushtarake”, tha zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, duke theksuar se aleanca po ndjek nga afër të gjitha stërvitjet ruse.

Ajo tërhoqi vëmendjen se Rusia ka shtuar në masë të konsiderueshme praninë ushtarake në rajonet e Detit Baltik, Detit të Zi dhe Mesdheut, ndërsa tha se Rusia është e gatshme të përdorë forcë ushtarake ndaj fqinjëve të saj në vazhdën e zhvillimeve në Ukrainë dhe Gjeorgji.