Shaqiri: Ja çfarë do të ndodhte nëse do të shkoja në Beograd!

Xherdan Shaqiri e ka arsyetuar trajnerin Jurgen Klopp, për të cilin thotë se e mori vendimin e duhur për ta lënë në Liverpool në ndeshjen që “Reds” e zhvilluan ndaj Crvena Zvezdës. Sipas tij, nëse do të shkonte në Beograd fokusi do të ishte tek futbollisti gjilanas dhe loja e futbollit do të merrte kahje tjetër

Xherdan Shaqiri insiston se trajneri Jurgen Klopp e mori vendimin e duhur për ta lënë atë jashtë skuadrës së Liverpoolit për ndeshjen e mesjavës së kaluar ndaj Crvena Zvezdës në Beograd.

Mirëpo, për çdo rasti futbollisti kosovar e tregoi veten me t’u kthyer ekipi anglez gjatë fundjavës, ku ia doli të shënonte në ndeshje me Fulhamin në Premierligë, shkruan Zeri.info.

Për shkak të tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe pas festimit të golit ndaj Serbisë në Botëror me shqiponjën dykrenore Shaqiri ishte bërë njeriu më i urryer nga serbët dhe shkuarja e tij eventuale në Beograd do t’i jepte kahje tjetër një loje të futbollit.

Sidoqoftë, Klopp e bëri një lëvizje taktike dhe “e ftohi situatën” duke ia mohuar numrit 23 udhëtimin drejt kryeqytetit serb në humbjen 0:2 në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kampionëve.

“Ai vetëm donte të koncentrohej në futboll, sepse çdokush e di se çka do të ndodhte nëse do të shkoja unë”, ka thënë Shaqiri, i cili ka folur për herë të parë për këtë rast.

“Atje ekziston një atmosferë mjaft e nxehtë dhe për këtë ishte më mirë të qëndroja në shtëpi dhe të gjithë të koncentroheshin vetëm në lojën e futbollit”, ka shtuar përfaqësuesi zviceran.

“Nëse do të shkoja atje çdokush do të më shikonte mua dhe fokusi do të ishte tek unë. Për këtë ishte më mirë të qëndroja në Liverpool. Isha i freskët, qëndrova këtu dhe ushtrova me disa lojtarë të tjerë, por kjo nuk ndryshon shumë”, shprehet futbollisti nga Zhegra e Gjilanit.

Lexo edhe:  Shaqiri nuk do të luajë në Serbi, kjo është deklarata epike e Lladrovcit

“Dëshiroja ta jepja një performancë të mirë të dielën (ndaj Fulhamit) dhe po, ishte një e tillë”, vazhdoi më tutje Shaqiri.

Ai e nisi lojën nga fillimi për herë të parë me “Reds” që prej transferimit nga Stoke City verën që shkoi, ndërsa e realizoi golin e dytë në fanellën e kuqe.

I pyetur nëse synon të përfshihet më shpesh në 11-shen e parë, ish-futbollisti i Baselit, i Bayern Munichut, i Interit dhe i Stoke Cityt thotë se kjo punë i përket trajnerit, vendimet e të cilit i respekton gjithmonë.

“Mendoj se në fund është trajneri ai që vendos se kush do të luajë dhe kush jo. Ne do ta ndërrojmë ekipin varësisht prej kundërshtarit dhe trajneri e vendos ekipin për të cilin mendon se është momenti i duhur për t’i fituar ndeshjet. Në fund nëse ai vendos të luajë unë nga fillimi do të ishte mirë, por gjithashtu nëse përfundoj në bankinë do të mundohem të futem në lojë dhe ta tregoj veten, që është po ashtu mirë”, nënvizoi Shaqiri.

“Në fund, vetëm 11 lojtarë mund të luajnë dhe ne e kemi një ekip të madh. Secili duhet t’i pranojë vendimet e trajnerit dhe deri tash po shkon mjaft mirë dhe ne jemi në rrugën e duhur”, përfundoi 27-vjeçari, i cili është bërë lojtar i dashur për tifozët falë paraqitjeve të tij dhe angazhimit maksimal. Krahas golave, atij nuk i kanë munguar as asistimet në ekipin nga “Anfield Road”.