Si u dënu për shpifje, me 15 vite burg, mësuesi i gjuhës shqipe

Në vitin 1961, Uran Kostreci ishte një mësues i gjuhës shqipe në fshatin Mollas të Elbasanit. Asokohe, si një 23-vjeçar, trillimet e rinisë ai i hidhte në copa letrash.

Disa fjalë të shkruara kundër diktatorit Enver Hoxha hapën dyert e ferrit për djaloshin. Sot, kur i ka kaluar të 80-at, Urani rikthen edhe njëherë në vëmendje citatet e shkruara.

 

“Edhe unë shkruaja ndonjë gjë të ndaluar, mirëpo halli qe se, një ditë aty hyri një magazinier. Ishte ditë pushimi, e diel. U shkëputa se më thirri një njeri dhe, kur u ktheva, nuk e gjeta poezinë që kisha shkruar kundër Enver Hoxhës. Ishte shumë e rrezikshme.

Erdhi Gjykata Ushtarake e Durrësit, më dënuan 15 vite”, rrëfen ish-mësuesi, Uran Kostreci.

Kështu zë fill kalvari i vuajtjes për mësuesin e gjuhës shqipe, ku fjalët e hedhura kuturu do t’i paguante me rininë e tij. Nga frika se mos e arrestonin, Urani merr arratinë.

“Ai që e mori ishte spiun, magazinier. Hynte-dilte ai, ishte i porositur. E pashë që isha i vdekur dhe u nisa për t’u arratisur. por pa bërë plane të mira. Më zunë në Pogradec, duke ikur në orën 21:00 të natës për në Shën Naum”, tha mësuesi.

Kur i kishin mbetur dhe pak muaj të fitonte lirinë, në vitin 1976, nga qelia e Burgut të Burrelit, mbi Uranin ngrihen akuza të tjera. Këtë herë për agjitacion dhe propagandë.

“Mua në burg brenda, kisha dhe 6 muaj për të mbaruar dënimin, më dënuan në burg për agjitacion propagandë, medemek se shan qeverinë, dolën disa dëshmitarë dhe…”, rrëfen ish-mësuesi për “Top Story”-n.

Në fundin e viteve ’70 ishte koha kur përfundoje në burg edhe për një fjalë goje.

Lexo edhe:  Shqiptarët e egër në sytë e serbëve

Urani kujton rastin më ekstrem, atë të një bariu minoritar, që ishte arrestuar po me të njëjtën akuzë, pasi operativët kishin dyshime se ishte takuar me agjent të CIA-s. Atë që kishte deklaruar bariu ishte takimi me hallën e tij, që në gjuhën greke thuhet “Thian”.

“Po të them një rast që ishte flagrant, që është për të qeshur për kohën e sotme, se në atë kohë ishte tragjike. Na vjen na merr një minoritar. Po pse të morën? Për një takim me Thian, thotë ai. Hetuesit lart i kishin thënë se ke takuar CIA-n. Ai i ziu tani, duke qenë injorant, njeri i thjeshtë, pa hapur libër kurrë, nuk kishte dëgjuar çfarë ishte CIA, jo më të merrej me CIA-n. Ky tani, duke qenë minoritar, e mori për tjetër gjë atë fjalë. Tha jam takuar me ‘thian’, në shqip teze i thonë. Po ku je takuar? Tani flet për tezen ky, ndërsa ai e pyet për CIA-n. Në stan, tha ai. Çfarë biseduat?, e pyesin. Po ja për punët e partive, tha ai.

Me kë tallesh, i thanë, dhe ia futën prap me dru. Më në fund hetuesi, sado gomar që ishte edhe vetë, e mori vesh që ky po fliste për CIA-n”, rrëfen ish-mësuesi.

Uran Kostreci doli nga burgu në moshën 43-vjeçare. Kurrë nuk mundi të ndërtonte një familje, e tani jeton ditët mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.

Të dhënat e siguruara nga “Top Story” tregojnë se, Urani është një ndër 1.253 shtetas shqiptarë që u dënuan me akuzën e agjitacionit dhe propagandës gjatë kohës së komunizmit, në vitet 1947-1970.

Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, propagandën dhe agjitacionin e konsideronte vepër penale, për të cilën sanksiononte një masë dënimi nga 6 muaj burg dhe deri në dënim me vdekje.

Lexo edhe:  Shikone debatin e parë politik në mes Rugovës e Thaçit

Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna zyrtare sesa shtetas shqiptarë u ndëshkuan me këtë ligj, nga vitet 1970 deri në vitin 1990. Arsyeja është se, në regjistra është pasqyruar vetëm data e arrestimit dhe masa e dënimit, për çdo person të dënuar gjatë regjimit komunist./Top Channel