Super meçi McGregor-Nurmagomedov, ja ku mund ta ndiqni atë

Të dielën në mëngjes, në Nevada të Shteteve të Bashkuara, Conor McGregor rikthehet në oktagon për të rifituar titullin në peshën e lehtë në UFC, në një duel drithërues përballë rusit Khabib Nurmagomedov.

30-vjeçari nga Dagestani është kampioni në fuqi, në peshën deri 70 kg në MMA, pas titullit vakant të fituar shtatë muaj më parë në ndeshjen e zhvilluar në Brooklyn me italo-amerikanin Al Iaquinta, titull që i përkiste pikërisht “famëkeqit” McGregor, por që më pas iu hoq sportistit irlandez për shkak të inaktivitetit në këtë kategori.

Dueli pritet vërtet me shumë emocion nga të gjithë të apasionuarit, në një ndeshje tepër të egër, që parashikohet të sjellë përfitime rekord jo vetëm për organizatorët, por gjithashtu edhe për rrjetet televizive, që kanë marrë përsipër transmetimin e këtij eventi, që është i 229-ti në UFC, pa lënë mënjanë edhe mënyrën “pay per view”, që në Amerikën e Veriut pritet të kalojë numrin e dy milionë abonentëve.

Marrëveshja përfundimtare u shpall që më datë 3 gusht, kështu që dy luftëtarët kanë patur mjaftueshëm kohë për t’u përgatitur në mënyrën më të mirë, për një ndeshje që konsiderohet si një ndër më të mëdhatë në gjithë historinë e Ultimate Fighting Championship. Të dy ndryshojnë shumë nga njëri – tjetri, madje edhe në mënyrën sesi luftojnë në kafaz. Khabibi ka patur një ngjitje graduale, duke mos njohur asnjë humbje në 26 përballjet në këtë sport, 8 prej të cilave janë fituar me “knock out”, ndërsa tetë të tjera pas dorzëzimit të kundërshtarit.

Conor, në krahun tjetër, do të rikthehet në oktagon pas plot 693 ditëve, periudhë gjatë së cilës 30-vjeçari irlandez guxoi të sfidojë në boks një legjendë të këtij sporti si Floyd Mayëeather Jr. në një ndër ndeshjet më të pasura në historinë e boksit. Ndonëse të dy janë moshatarë, nuk mund të krahasohen as nga fama as nga pasuria, për më tepër bëhet fjalë për dy tipa me karakter krejtësisht të ndryshëm.

Lexo edhe:  Kosova merr një lajm fantastik qysh në fillim të vitit të ri

Nëse Khabibi është i thjeshtë dhe preferon të mbajë një qëndrim më të tërhequr kundrejt medias, “Notorious” është sa i famshëm po aq edhe i përfolur për bëmat dhe jetën e tij larg kafazit.

McGregor ka fituar 21 nga 24 ndeshjet e zhvilluara në Artet e Përziera Marciale, 18 prej të cilave me “knock out”, sidoqoftë Mystic Mac numëron edhe tri humbje, me kundërshtarë si Artemij Sitenkov dhe Joseph Duffy në fillim të karrierës, por gjithashtu edhe me kalifornianin Nate Diaz, dy vjet e gjysmë më parë, pikërisht në Mekën e këtij sporti Las Vegas, që përfaqëson njëherësh edhe disfatën e fundit të 30-vjeçarit nga Dublini në UFC.

Kurioz është fakti që Khabibi e quajti veten Floyd Mayweather i MMA-së në konferencën e fundit për shtyp, ku për hir të së vërtetës luftëtari rus u paraqit në kohë, priti kundërshtarin e tij për 15 minuta dhe më pas u largua, përpara se aty të paraqitej Conor McGregor.

Vetë “Notorious” deklaroi se do ta shijojë në maksimum përballjen me “shqiponjën nga Dagestani”, por insistoi gjithashtu duke shtuar se nuk ka aspak ndërmend për të bërë paqe me Khabibin pas dyluftimit, një konferencë për shtyp ku Nurmagomedov ofendoi rivalin e tij, ndërsa irlandezi u prezantua me një fëmijë në krahë. Qëllimi është i qartë: Conor synon të rrëmbejë brezin dhe ta poshtërojë kundërshtarin me “knock out”, ndërsa Khabibi ka premtuar një fitore të madhe për fansat e këtij sporti dhe të gjithë përkrahësit e tij.

Kampioni në fuqi, Nurmagomedov, ka lindur në Veri të Kaukazit, në kohën e Bashkimit Sovjetik dhe babai i tij, një veteran lufte, i mësoi mundjen që në moshën 8-vjeçare, një sport tepër i përhapur në atë rajon, për ta zhdërvjelltësuar më pas në xhudo dhe sambo, art marcial, që lindi pikërisht në Bashikimin Sovjetik dhe më pas u zhvillua nga Ushtria e Kuqe, për t’u përsosur deri në atë gradë sa edhe ditët e sotme konsiderohet si një ndër teknikat më efektive në disiplinat e ndryshme të luftimit, prandaj edhe Nurmagomedov është favorit dhe bookmakers-at kanë ulur ndjeshëm koeficientët për fitoren e tij, gjithsesi, diçka e kuptueshme, duke patur parasysh shpërqendrimin, jetën e stuhishme dhe shkëputjen për kaq shumë kohë të McGregor nga ky sport.

Lexo edhe:  Futbolli i Kosovës në zi, ndërron jetë futbollisti dhe gjyqtari i njohur kosovar

Pavarësisht popullaritetit të sportistit irlandez, Khabibi, që është i pari rus dhe njëkohësisht edhe i pari sportist me origjinë myslimane që ka fituar titull në UFC, përfaqëson kundërshtarin më të vështirë të mundshëm në një rikthim të tillë.

Kthimi i Conorit në oktagon përkon edhe me një ndeshje tjetër të rëndësishme, ndërmjet dy sportistëve të tjerë të kësaj peshe, Tony Ferguson – Anthony Pettis dhe fituesi i këtij dueli me shumë gjasa do të përballet në të ardhmen edhe me kampionin që do të dalë nga dueli McGregor – Nurmagomedov, takim që do të mbahet në Las Vegas, ditën e dielë afërsisht rreth orës 6 të mëngjesit, sipas orës qendrore të Evropës, në një mbrëmje madhështore në UFC, që do të transmetojë Supersporti. /SS/