Thaçi i shpall luftë Haradinajt

Presidenti Hashim Thaçi e ka mbajtur edhe sot një konferencë për media, permes së cilës zgjodhi që t’ia kthejë një nga një publikisht të gjitha akuzat kryeministrit Ramush Haradinaj.

Thaçi i bëri thirrje kryeministrit të jetë më racional dhe i më përgjegjshëm kur flet për dialogun. Ia përmendi edhe miqësinë me Milan Radojçiqin e Veriut dhe listat e fryra të veteranëve.

Presidenti Thaçi e nisi konferencën e sotme duke e përsëritur se nuk kanë qenë më shumë se 12 mijë pjesëtarë të UÇK’së dhe u bëri thirrje përfaqësuesve politikë të mos përzihen në çështje të drejtësisë, transmeton Express.

Kjo ishte vetëm pika e parë e deklaratës hakmarrëse që Thaçi ka përgatitur sot për kryeministrin Haradinaj, i cili vazhdimisht thotë se kanë qenë 50-60 mijë veteranë të UÇK’së dhe i cili ka kritikuar ashpër ish-prokurorin Elez Blakaj.

“Keqpërdorimet në listat e veteranëve duhet të hetohen deri në fund. Të gjithë e dimë se nuk kanë qenë më shumë se 12 mijë veteranë”, tha Thaçi.

“Dialogu nuk ka vdekur”, tha Thaçi duke i tërhequr vëmendjen kryeministrit, i cili tha sot “Ngushëllime. Ideja e ndarjes ka vdekur”.

Tutje, presidenti i bëri thirrje publike Haradinajt të jetë më i përgjegjshëm dhe më racional kur deklarohet.

“I bëj thirrje kryeministrit të jetë më racional dhe më i përgjegjëshëm në deklaratat e tij për dialogun”, është shprehur Thaçi.

Kryeministri Haradinaj të premten në fshatin Marinë të Skenderajt, i tha presidentit Thaçi se nuk guxon të flasë me Serbinë për territorin e Kosovës.

“Jam i sigurt se kryeministri ka nevojë t’i korrigjojë deklaratat dhe qëndrimet e tij për procesin e dialogut”, tha Presidenti.

Thaçi kishte përgatitur edhe goditjen e fundit për Haradinajn, duke ia përmendur miqësinë që ka me Milan Radojçiqin e Veriut të Mitrovicës.

Sipas presidentit, kryeministri Haradinaj po e sakrifikon Luginën e Preshevës vetëm për një person, duke aluduar në Milan Radojçiqin, që konsiderohet nja nga njerëzit më me ndikim në Veri.

“Nuk e sakrifikoj luginën për hir të ndonjë individi në veri”, tha Thaçi para gazetarëve. Përfundimisht Thaçi kërkoi nga Haradinaj që të jetë më i mençur dhe më i shkathët kur është në pyetje dialogu me Serbinë./Express/