Thaçi injoron Komisionin Hetimor, nuk shkon të flasë për kontratat e tij në emër të shtetit

    Kontrata të shumta i ka nënshkruar Qeveria me qëllim lobimi. Janë angazhuar kompani të njohura lobuese e njerëz me ndikim. Detajet nga disa prej kontratave të publikuara bëjnë të qartë se ato i kanë shërbyer më shumë individëve se sa shtetit. Ish-prokurori i Hagës, Geoffrey Nice dëshmon se ka punuar për Hashim Thaçin sa ky ishte kryeministër, ndërsa ishte paguar nga Qeveria. Presidenti Thaçi, rreth të cilit sillen plot kontrata të dyshimta, sot ka injoruar komisionin hetimor.

    Komisioni parlamentar i formuar për të hetuar shpenzimet për lobim nga presidenca dhe qeveria, ka mbajtur me dhjetëra mbledhje e ka intervistuar palë të ndryshme deri tash. Sot ky komision priste që para tij të raportonte Presidenti Hashim Thaçi, protagonist i shumë kontratave me karakter lobues, e që i kanë shërbyer personalisht atij.

    Në media janë publikuar disa nga kontratat që ndër vite ishin nënshkruar nga Qeveritë e Kosovës me kompani të mëdha lobuese, por edhe me njerëz me influencë ndërkombëtarisht.

    Një nga personat me ndikim, që ishte kontraktuar nga Qeveria ishte edhe ish-prokurori i Tribunalit të Hagës, Geoffrey Nice.

    Gazeta Express muaj më parë ka publikuar disa letra që i ka dërguar Nice qeverisë së Kosovës, ku ka kërkuar që atij dhe bashkëpunëtores së tij, Nevonka Tromp, t’i paguhen rreth 500 mijë euro që qeveria ia ka borxh që nga koha kur Thaçi ishte kryeministër.

    Nice në këto letra tregon se i ka kryer shërbime ekskluzivisht ish-kryeministrit. Madje, në këtë pagesë hynte edhe ndihma që ai e ka dhënë në librin biografik të Presidentin Thaçi. Ky i fundit mohon se libri ka qenë i porositur.

    “Unë, duke m’u kërkuar, kam ndihmuar shkrimtarët e librit biografik të Hashim Thaçit, me historinë e akuzave të trafikimit të organeve, duke menduar se historia nuk ishte vetëm për Hashim Thaçin, por për popullin e Kosovës”, ka shkruar Nice.

    Lexo edhe:  Thaçi: Kuvendi e ka fjalën e fundit për marrëveshjen me Serbinë

    Dardan Sejdiu, kryetar i komisionit hetimor, sot pas mbledhjes, ka treguar se edhe avokati britanik është në listën e njerëzve që do të intervistohen së shpejti.

    Ndërsa sot komisioni hetimor ka ftuar presidentin Thaçi për t’u pyetur rreth kontratave lobuese. Thaçi sot nuk u paraqit në komisionin hetimor. Kështu takimi mes anëtarëve zgjati rreth gjysmë ore.

    Kryetari i komisionit tregoi se presidenti as nuk ka shkoi në këtë takim, e as nuk treguar arsyet e mosardhjes.

    Përveç Thaçit, që nuk i është përgjigjur ftesës, Sejdiu për media ka treguar se deri më tani kanë ftuar, e kanë folur me më shumë se dhjetë palë. Ndër ta edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ish-zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi dhe Ardian Arifaj nga Presidenca.

    Një kontratë tjetër, e nënshkruar për lobim është ajo me kompaninë amerikane, Ballards & Partners.

    Kjo marrëveshja mes Ballards dhe Presidencës së Kosovës ka kushtuar rreth 1.2 milionë dollarë. Kompania e lobistit Bryan Ballard Kompania e kontraktuar ka për detyrë që ta këshillojë Presidentin dhe të avokojë në emër të Presidencës për të gjitha çështjet që Presidenti e sheh si të nevojshme dhe të përshtatshme para Qeverisë Amerikane.

    Po ashtu, Nice që pritet të raportojë para komisionit hetimor, në letrat e dërguara Qeverisë, e të cilat i kishte siguruar Express, ka treguar se ai ka pasur për detyrë që të përgatit material që do të përdorej kur Gjykata Speciale të fillojë të akuzojë individë.

    “Kemi punuar që qeveria e Kosovës të mund të përgatiste materiale ku askush s’do të kishte qasje, të cilat do të përdoreshin kur individë do të akuzoheshin nga Gjykata Speciale”, ka shpjeguar Nice.

    Lexo edhe:  A do të udhëtojë nesër në SHBA Ramush Haradinaj?

    Komisioni i përbërë nga 12 deputet, dhe i drejtuar nga Dardan Sejdiu i PSD’së në fund të muajit do të dalë me një raport rreth gjetjeve nga hetimi i kontratave.