Thaçi në një gjuhë me Vetëvendosjen: “I përgjigjem pozitivisht”

Pas statusit në Facebook të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliut, që kërkonte të nënshkruhej një marrëveshje me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, ka ardhur edhe reagimi i presidentit Hashim Thaçi, i cili duket i kënaqur nga një kërkesë e tillë, shkruan Periskopi.

Ai ka thënë se i përgjigjet pozitivisht një mundësie për nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë me shkrim me përfaqësuesit “politikë e legjitimë të Luginës së Preshevës, për bashkim me Kosovën”.

Kërkesa e deputetit Aliu është mjaft e çuditshme marrë parasysh që Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur protesta me parullën “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu” për të kundërshtuar negocimin e territorit të Kosovës nga Hashim Thaçi në dialog me Serbinë.

Ky është statusi i plotë i presidentit Thaçi:

Kosova duhet t’i mbështesë me veprime konkrete kërkesat e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Unë i përgjigjem pozitivisht çdo mundësie për nënshkrimin e një marrëveshjeje me shkrim me përfaqësuesit politikë e legjitimë të Luginës së Preshevës, për bashkim me Kosovën.

Gjatë tërë kësaj kohe kam kërkuar unitet politik në Kosovë për përkrahjen e kërkesës së tyre dhe dëshiroj që pas nënshkrimit tim, të gjitha subjektet politike parlamentare që u ka shkuar ajo kërkesë, t’i radhisin nënshkrimet si zotim për miratimin e rezolutës së iniciuar prej përfaqësuesve politikë të Luginës së Preshevës, për bashkim me Kosovën. HTH