U akuzua se Blair po i udhëheq negociatat e Serbisë me Kosovën, flet Vucic

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka mohuar zërat se në emër të Serbisë negociatat me Kosovën po udhëhiqen nga ish kryeministri britanik Tony Blair.

    Vuçiq tha se nuk i janë dhënë kurrfarë parashë askujt që në vend të tij të udhëheq bisedimet për çështjen e Kosovës.

    “Ai (Blair) nuk negocion për asgjë, por negocioj unë, dhe është vendimi i të dyja palëve të pushtetit ekzekutiv – edhe e Qeverisë (së Serbisë) edhe e imja, ta pranojnë atë si barrë dhe obligim. Emri im nuk është as Tony, as ndonjë tjetër, por Aleksandar”, tha Vuçiq në Moskë për Televizionin “Pink”, përcjell Telegrafi.

    Ai shtoi gjatë bisedimeve me Prishtinën, ekskluzivisht “është mbajtur krenarinë dhe popullin” dhe se disa individë “do të jepnin më shumë se sa kërkohet nga ata” kur bëhet fjalë për Kosovën.

    Presidenti i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiq, thotë se ish-kryeministri britanik, Tony Blair, në emër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, po negocion për “demarkacionin” me Kosovën.

    Në një njoftim për media të partisë së tij, thuhet se javën e kaluar, Blair për këtë temë ka biseduar me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe me zyrtarë francezë, ndërsa javën e ardhshme do të ketë një takim edhe me përfaqësues të Këshillit për Siguri Kombëtare të SHBA-së.

    Jeremiqi ka shtuar se për takimet e Blairit me Angela Merkelin dhe me zyrtarë amerikanë ka mësuar nga disa burime shumë mirë të informuara, në mesin e të cilëve janë edhe ata nga Evropa.

    Lexo edhe:  Haradinaj: Nuk e heqim taksën pa na njohur Serbia, pikë!