Vazhdojnë takimet e Behgjet Pacollit nëpër korridoret e OKB’së

Disa takime të reja, nëpër korridore të selisë së OKB-së, ku po mban punimet Asambleja e Përgjithshme janë njoftimi i radhës për media nga Ministria e Punëve të Jashtme me në krye Behgjet Pacollin.

Sipas kësaj ministrie, Pacolli kësisoj po vazhdon takimet e shumta në OKB, me qëllim lobimin intenziv për rritjen e numrit të njohjeve dhe anëtarësim në INTERPOL.

 

MPJ-ja thotë se me qëllimin e lobimit sistematik për rritjen e numrit të njohjeve të Republikës së Kosovës dhe sigurimin e një mbështetje të fuqishme për anëtarësimin e vendit në Organizata Ndërkombëtare, kryediplomati kosovar ka vazhduar realizimin e takimeve të shumta të nivelit të lartë në margjina të punimeve të rregullta të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

“Ose punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me praninë e 130 krerëve të shteteve dhe qeverive, është një rast i jashtëzakonshëm për një vend si Kosova të tregojë ekzistencën e vet, punën dhe të arriturat e veta!”, ka vlerësuar ministri i Jashtëm Pacolli, duke bërë një përmbledhje të takimeve të zhvilluara, qoftë të atyre sipas agjendës zyrtare ashtu edhe të takimeve të tjera të karakterit jo-formal në pritje të ndryshme shtetërore.

“Takova ministren e re të punëve të jashtme të Australisë, Marise Payne. Pas agjendës zyrtare në Selinë e OKB-së takova dhe shumë ministra të jashtëm të vendeve afrikane si ai i Kamerunit, Lejeune Mbella Mbella; atë të Ruandës Louise Mushikiwabo. Takova dhe Jean Baptiste le Moine, ministër shteti për Europën dhe Punët e jashtme të Francës.

Shumë ambasadorë, drejtues institucionesh të grumbulluar në pritjen zyrtare të Ruandës. Më pas takova në një pritje madhështore shumë personalitete drejtuese të Emirateve të Bashkuar Arabe, por edhe nga vende të tjera. U takova me ministrin e punëve të jashtme të Emirateve Arabe Abdullah bin Zayed Al Nahyan; Ministrin e Jashtëm të Libisë Mohamed T. H. Siala; Princin e Kurorës së Norvegjisë, Hakkon Magnus; Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështje Ekonomike të EBA, z. Mohamed Sharaf; Ministrin e Jashtëm të Bahrejnit, Shaikh Khaled bin Ahmed bin Mohammed Al Khalifah; etj”, ka thënë numri dy i Qeverisë.