Vjen reagimi nga Rusia për ulëset e Thaçit dhe të Vuçiqit në Paris

    Në Serbi ende po merren me ceremoninë e shënimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore që u mbajt të dielën në Paris. Aleksandar Vuçiq në një qoshe të ceremonisë, ndërkohë presidenti kosovar, Hashim Thaçi, në pjesën kryesore të liderëve botërorë.

    Ambasadori rus në Serbi, Aleksander Chepurin, tha se bashkëpunimi i nivelit të lartë i të dy vendeve ishte i pashembullt dhe vuri në dukje se Moska është e vendosur të zgjidhë problemin e Kosovës politikisht në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, pa vendosur afate.

    “Zgjidhja e problemit të Kosovës është e mundur vetëm me kusht që Serbia dhe serbët ta pranojnë atë. Është e rëndësishme që ky të jetë një kompromis, jo një zgjidhje e imponuar nga jashtë. Qëndrimi ynë ishte i njëjtë si më herët, mbetet kështu tani dhe do të jetë i njëjtë në të ardhmen’, tha Chepurin për RTS.

    Chepurin, duke folur për takimin e zhvilluar mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidenti Kosovës, Hashim Thaçi, në Paris, tha se në ceremoni të tilla kanë dhjetëra e madje qindra mundësi për kontakte me liderë botërorë, por nuk e konsiderojnë diçka të rëndësishme, raportojnë mediat serbe, përcjell Gazetametro.net.

    “Putini është një njeri i sjellshëm. Ai përshëndeti qindra njerëz që takoi, duke shkëmbyer disa fjalë me ta. Së dyti, Putin ishte atje si mysafir. Ne e dimë se Serbia, Rusia dhe Franca ishin vendet kyçe të Luftës së Parë Botërore. Por kjo ceremoni u organizua nga francezët dhe ata ftuan ata që mendonin se duhet të ftoheshin, duke përfshirë edhe përfaqësuesin e një shteti siç është Kosova” tha Chepurin.

    Ky takim thotë ambasadori rus, ishte vetëm një rastësi, asgjë më shumë.

    Lexo edhe:  Rusët bëjnë film në Hollywood për pushtimin e Aeroportit të Sllatinës, ‘gjenocidin’ e UÇK-së dhe trafikimin e organeve (Video)

    Problemi, thotë ai, është se përfaqësuesit e shteteve të panjohura “kërkojnë arsye të caktuara” për ngjarje të tilla që përfshijnë mysafirë të lartë dhe “sjellja e tyre nganjëherë krijon probleme serioze”.

    I pyetur se si ndihej si një ambasador rus në Serbi, duke parë se Thaçi në ceremoninë e rëndësishme që shënon Luftën e Madhe të 11 nëntorit në Paris ulet menjëherë pas Putinit, thotë se kjo ishte padyshim krejtësisht e padrejtë dhe e gabuar, por kjo ishte një pyetje për organizatorët.

    Chepurin, gjithashtu, foli për vizitën e presidentit rus në Serbi në janar, duke thënë se data e saktë ende nuk është shpallur zyrtarisht për arsye të ndryshme, por që do të jetë në mes të janarit.

    Kur është fjala për Kosovën, Chepurin theksoi se pozicioni i Rusisë është shumë i qartë dhe se është konfirmuar disa herë, por se dikush gjithmonë përpiqet ta dyshojë atë.

    “Pozicioni i Rusisë nuk ka ndryshuar, dhe vijon në vijim: avokojmë që problemi të zgjidhet politikisht në kuadrin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është gjëja e parë”, tha ambasadori.