Vrasja në mes të ditës në Prishtinë, dyshohet se viktima kishte probleme me familjarët e gruas

    Përderisa ishte në lëvizje me veturë, në drejtim të tij u shkrepën dy plumba. Arma e zjarrit i shkaktoi plagë të papërballueshme 27-vjeçarit Abid Jasharaj. Babai i tre fëmijëve ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, rreth orës 11:30, në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë, tha ekipi mjekësor.

    Për vrasjen që ndodhi në pikë të ditës në kryeqytet, nuk është arrestuar ende asnjë njeri. Policia tha se po punon në sqarimin e të gjitha rrethanave se si ndodhi vrasja. Madje, ajo dha edhe një njoftim për media ku u përshkrua mënyra se si humbi jetën i riu në kryeqytet.

    “Nga informacionet e para në vendin e ngjarjes dyshohet se nga arma e zjarrit është plagosur një person, derisa po qarkullonte me veturën e tij në rrugën e sipërshënuar. I njëjti nuk u ka mbijetuar plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe në vendngjarje ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës A. J., mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, tha policia.

    Burime shumë të besueshme të Gazetës Express brenda organeve të hetuesisë bëjnë me dije se motivi që dyshohet që e çoi drejt vdekjes 27-vjeçarin është një mosmarrëveshje me familjarët e gruas së tij.

    “Nuk ka të ndaluar njëherë për njëherë. Ka dyshime rreth rastit që ka pasë mosmarrëveshje me miqtë e tij, me familjarët e gruas. Dy plumba janë shkrepur në drejtim të veturës së tij. Të gjitha organet e hetuesisë po merren me rastin”.

    Lexo edhe:  Trump kërkon tërheqjen e Amerikës nga luftërat "e pafundme" në Siri e Afganistan