Vuçiq flet për mundësinë e luftës së re me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë mysafir i mëngjesit në televizionin “Pink” ku foli për zhvillimet e fundit në raport me Kosovën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se të gjitha veprimet e deritashme të Prishtinës kanë qenë joracionale dhe kur keni një kundërshtar të tillë, kjo krijon problem.

Por, ai ka shfaqur bindjen e tij se Serbia do ta japë maksimumin nga vetja për të siguruar paqen dhe se nuk do të ketë më luftë.

“Nuk dua ta përdori atë fjalë, e as që mendoj se është e mirë, më duket sikur njerëzit nga Prishtina nuk janë të vetëdijshëm për katastrofën që mund të shkaktojnë dhe i lus që ta kuptojnë”, deklaroi Vuçiq në emisionin e mëngjesit në televizionin “Pink”, transmeton Lajmi.net.

“Ne jemi në një situatë ku luajmë shah kundër dikujt që ka ndihmën e 10 figurave”, shtoi ai

Vuçiq ka theksuar se Serbia ka një kundërshtar që bën veprime të paparashikueshme e që deri më tani kanë qenë joracionale. “Ta ruajmë paqen, jam i sigurt se nuk do të ketë luftë, por nuk do të lejojmë të luajnë me popullin tonë”, theksoi Vuçiq.

Ai u shpreh se mesazhi i NATO-s nga Jens Stoltenberg ishte i mirë dhe se shumë janë duke u munduar ta paralajmërojnë Prishtinën.

“Me rëndësi është që bashkësia ndërkombëtare e kupton se sa e rëndësishme është paqja dhe stabiliteti, e ata që e kundërshtojnë marrëveshjen nuk ia duan të mirën Serbisë”, u shpreh Vuçiq.