Zyrtarët e ministrisë së Arsimit në hotel ‘Bonita’ në Durrës, 60 mijë euro kushton akomodimi i tyre

    Mijëra euro është duke shpenzuar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për vlerësimin e dorëshkrimeve të teksteve të reja shkollore, që pritet të nxirren në shtator.

    Kjo ministri ka zgjedhur që procesi i vlerësimit të teksteve të reja të kryhet në “Hotel Bonita” në Durrës të Shqipërisë.

    Burime të Kohës Ditore, brenda MASHT-it, kanë thënë se Ministria ka dërguar afro 200 persona për t’u marrë me këtë proces dhe se shuma e shpenzimeve vetëm për akomodim është mbi 60 mijë euro.

    Në anën tjetër, menaxherja e hotel “Bonita”, Mirjeta Ismaili, ka dhënë shifër më të ulët, duke thënë se aktualisht aty janë të vendosur diku 105 persona. Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se MASHT-i do të paguajë 60 euro për akomodimin e një personi vetëm për një ditë.

    Të angazhuarit në këtë proces pritet të qëndrojnë në këtë hotel 8 ditë.

    Ministria e Arsimit nuk ka treguar për numrin e saktë të atyre që kanë shkuar për të marrë pjesë në vlerësimin e teksteve shkollore, dhe nuk është përgjigjur përse vlerësimi i teksteve nuk është bërë në Kosovë.

    Lexo edhe:  Selimi për alaramin e bombës në gjykatë: Dikush po tenton t’i mbulojë skandalet me skandal